Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zogaj me kritika ndaj Qeverisë: Nuk shpenzon dhe mburret me kursim

 
   

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj ka thënë se vitet e fundit ishin të vështira për vendin.

“U lidhën disa ngjarje të mëdha botërore me rend. E para pandemia COVID-19 që i ka dhënë goditje të mëdha ekonomisë botërore, e cila pastaj reflekton edhe tek ne. Krejtë çfarë ndodh në botë shpejtë e marrim në vendin tonë. Pas pandemisë erdhi lufta në Ukrainë e cila rezultoi me rritje të çmimeve gati në të gjithë botën, ky reflektim erdhi edhe tek ne. Viti 2022 ka qenë vit i vështirë sa i përket inflacionit, çmimet e larta ndërsa të hyrat tona kanë mbetë njëjtë”, ka thënë Zogaj.

Zogaj ka thënë se kur kjo ndodh atëherë do të thotë se ne blejmë dhe konsumojmë më pak, e që kjo ndikon në përkeqësim të mirëqenies.

Ndërsa për kursimin e parave në bankë nga perspektiva e një ekonomisti, Zogaj është shprehur se kjo varet në çfarë aspekti e shikojmë.

“Kursimi është luks, nëse një shoqëri arrin të kursej atëherë ka arritur t’i kryejë disa obligime tjera bazike. Sa më e pasur shoqëria, aq më shumë kursejnë, këtu (në Kosovë) edhe kursimet i kemi të ulëta…Nuk ka të keqe nga kursimi por problemi është nëse ne mund të kursejmë pak më shumë dhe normalisht pastaj ka situata ku kursimi pastaj kthehet në investim. Kursimi ishte dashtë që gjithmonë të kthehet në investim”, ka thënë tutje nënkryetari i Prishtinës.

“E keqja është kur Qeveria kursen, qeveritë nuk duhet të kursejnë, duhet t’i shpenzojnë paratë e tyre në tërësi dhe duhet të hyjnë edhe në borgje. Qeveria kursen për fat të keq, nuk shpenzon dhe mburret me kursim. Me qindra miliona dhe pastaj barten me vite dhe kështu mbesin të pa shfrytëzuara”, është shprehur ai.

Mes të tjerash, Zogaj ka shtuar se duhet të investohet sa më shumë në mënyrë që ekonomia e vendit të zhvillohet.

Sipas tij, kjo vlen edhe për qeverisjet komunale, duke shtuar se as Komuna e Prishtinës nuk qëndron mirë me shpenzime.