Lajme

“Zveçani përjetësisht mirënjohës”, shqetësuese – mesazhe glorifikuese për Mladiqin në veri

Mesazhe glorifikuese për kriminelin e dënuar të luftës, Ratko Mladiq, janë shfaqur në veri të Kosovës, në Zveçan.

Fotografi të publikuara në kanale serbe në Telegram tregojnë një mural me portretin e Mladiqit, pranë të cilit janë shkruar mesazhet “Zveçani përjetësisht mirënjohës” dhe “Qoftë e falënderuar nëna jote”.

Në një tjetër pamje shihet një mbishkrim kushtuar Mladiqit, ku ai cilësohet si “gjeneral”.

Fotografitë janë shpërndarë në Telegram me porosinë “Ruajeni Kosovën”, ndërsa në njërin prej postimeve vendndodhja është identifikuar si Zveçan.

“Gjeneral, përshëndetja e fundit. Mesazh për terroristët: të gjithë jemi ushtarët e Ratkos”, thuhet në njërin nga postimet. 

Ratko Mladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska, ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Të Ngjashme