Lajme

14 vatra zjarri brenda 12 orësh në Shqipëri, 5 vijojnë të jenë aktive

Katërmbëdhjetë vatra zjarri janë raportuar gjatë 12 orëve të fundit në territorin e Shqipërisë, ndërsa pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive, bëri të ditur Agjencia për Media dhe Informim (MIA).

Për menaxhimin e situatës dhe ndërhyrjen në terren janë angazhuar 19 automjete zjarrfikëse, 182 forca operacionale, tre helikopterë dhe një avion i Forcës Ajrore.

Në Dajt të Tiranës vijon puna për shuarjen e zjarrit, ndërsa në fshatin Riban të Mallakastrës zjarri vijon me intensitet të ulët në brendësi të masivit pyjor.

Ndërhyrja e koordinuar nga toka dhe ajri ka larguar rrezikun për zonat e banuara, raporton ATSH.

Gjatë operacionit u evakuuan përkohësisht 15 familje. Në mbështetje të operacionit u angazhuan 1 helikopter dhe 1 avion i Forcës Ajrore

Në fshatin Shqiponjë të Prrenjasit vatra është nën kontroll dhe vijon puna për shuarjen përfundimtare.

Nën kontroll janë edhe vatrat në Vërzhezhë të Skraparit dhe Krekëz të Himarës, ndërsa strukturat operacionale vijojnë monitorimin.

Në Stegopull–Selckë, në territorin e bashkive Libohovë dhe Dropull, vijon puna për izolimin e zjarrit.

Terreni malor dhe shkëmbor po vështirëson ndërhyrjen e forcave.

Sipas MIA-s, nga vatrat e zjarrit janë prekur rreth 1,5 hektarë me barishte, shkurre dhe bimësi pyjore, ndërsa sipërfaqja e prekur nga vatrat aktive vijon të jetë në proces vlerësimi.

Të Ngjashme