Lajme

Ahmeti për ndalimin e tregtimit të energjisë me Serbinë: Vendim i vonshëm, është dashur të merreshin edhe masa të tjera

Vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe e ka cilësuar si të vonshëm kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti.

Në një intervistë në emisionin “Five” në TV Dukagjini, Ahmeti ka thënë se problemet që Serbia i ka shkaktuar në sektorin energjetik të Kosovës janë të vazhdueshme dhe se një reagim i tillë është dashur të ndërmerrej shumë më herët.

Sipas tij, pavarësisht anëtarësimit të Kosovës në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike (ENTSO-E), Serbia ka vazhduar të krijojë pengesa në funksionimin e tregut energjetik.

“Sa i përket aspektit energjetik dhe problemeve që i kemi me Serbinë, është vendim jashtëzakonisht i vonshëm. Ka shumë vjet që Serbia shkakton telashe, përkundër anëtarësimit tonë në ENTSO-E. Është dashur shumë moti të bëhej ky veprim, të bllokohej totalisht. Jo vetëm kjo, por të kishte një mori masash”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka vlerësuar se përvoja nga proceset e tjera në raportet Kosovë-Serbi dëshmon se pala serbe nuk ndryshon qasje pa masa konkrete dhe kundërpërgjigje.

Në këtë kontekst, Ahmeti ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian, duke e cilësuar si të pavullnetshëm për të ndërhyrë dhe për të zgjidhur problemet që, sipas tij, janë evidentuar prej vitesh në sektorin energjetik.

“Serbia nuk ka marrë vesh ndryshe, përpos nëse nuk ia kthen në këtë formë. Edhe Brukselin e kemi parë që ka qenë shumë i pavullnetshëm për të vepruar, përkundër që problemet janë konstatuar për një kohë shumë të gjatë. Është një lloj lufte e gjatë juridike mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket rrjetit energjetik në këtë rast”, ka theksuar ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar të hënën vendimin për ndalimin e blerjes, shitjes, importit dhe eksportit të energjisë elektrike me kompanitë serbe. Masa përfshin edhe tregtimin përmes transitit dhe rishitjes në shtetet e treta.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se vendimi është kundërpërgjigje ndaj Serbisë, e cila, sipas tij, tash e gjashtë vjet po bllokon linjat ndërkufitare për tregtimin e energjisë elektrike. Ai ka paralajmëruar se masat mund të ashpërsohen nëse Serbia nuk ndryshon qëndrim.

Të Ngjashme