Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me oficerët e Policisë Gjyqësore të Divizionit Financiar dhe Dixhital të Kërkimeve të Xhandarmërisë në Pau, Francë, ka zhvilluar një ditë më parë një operacion të përbashkët në Tiranë, në kuadër të një hetimi për “Mashtrim kompjuterik” në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Gjatë aksionit janë ushtruar kontrolle në Call Centera dhe në katër banesa, ndërsa hetimet lidhen me një skemë mashtrimi ndaj qytetarëve francezë përmes investimeve të rreme në kriptovaluta.
Informacioni fillestar është siguruar përmes Eurojust, duke çuar në regjistrimin e procedimit penal për disa vepra të rënda penale, përfshirë mashtrimin kompjuterik dhe pastrimin e parave.
Sipas autoriteteve, skema realizohej përmes platformës “UNIVERSAL TRADE”, ku viktimat kontaktoheshin nga persona me identitete të rreme franceze dhe udhëzoheshin të investonin në kriptomonedha.
Hetimet në Francë kanë evidentuar një dëm prej 845,400 eurosh ndaj katër shtetasve, ndërsa për 9 viktima të tjera dëmi arrin në rreth 1.1 milionë euro për periudhën shkurt–maj 2023.
Gjurmimi i fondeve ka çuar në identifikimin e disa shtetasve shqiptarë, të dyshuar për hapjen e portofoleve të kriptovalutave dhe transferimin e parave drejt autorëve të mashtrimit.
Sipas hetimeve, një prej tyre konsiderohet person kyç në skemë dhe është ndaluar me urdhër të prokurorit të posaçëm nga Byroja Kombëtare e Hetimit.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar pajisje kompjuterike, telefona celularë, pajisje ruajtëse të të dhënave, katër portofole kriptovalutash “cold wallet”, një automjet luksoz, dokumente të ndryshme, vula subjektesh, dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara, si dhe shuma parash në valuta të ndryshme me vlerë rreth 5 milionë lekë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, ndërsa operacioni u realizua me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore./rtsh.al/
