Lajme

APRK-ja alarmon qytetarët: Po shiten certifikata të rreme në emër të institucionit

Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për qytetarët, duke paralajmëruar për raste të falsifikimit dhe shitjes së certifikatave të rreme në emër të këtij institucioni.

Sipas njoftimit, rastet janë identifikuar kohët e fundit përmes platformave online dhe rrjeteve sociale, ku persona të ndryshëm po ofrojnë dokumente të falsifikuara.

APRK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e këtyre mashtrimeve, duke theksuar se çdo certifikatë e lëshuar nga ky institucion është e verifikueshme vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe lëshohet sipas procedurave ligjore në fuqi.

Institucioni ka rikujtuar se blerja apo përdorimi i dokumenteve të falsifikuara përbën vepër penale dhe ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi.

Po ashtu, qytetarët janë ftuar që çdo ofertë të dyshimtë apo rast falsifikimi ta raportojnë menjëherë te organet kompetente ose drejtpërdrejt në Agjencinë e Punësimit.

“Bashkë mund të kontribuojmë në ruajtjen e integritetit të institucioneve dhe mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet”, thuhet në njoftim.

Të Ngjashme