Këngëtarja amerikane Ariana Grande do të tërhiqet nga daljet publike pas përfundimit të turneut të saj muajin e ardhshëm dhe nuk do të jetë më pjesë e një produksioni muzikor të planifikuar për në Londër.
Një përfaqësues i artistes i tha revistës People se Grande “do të bëjë një hap pas nga ekspozimi publik” pasi turneu të përfundojë, duke theksuar se paraqitjet e saj kanë sjellë “një vëmendje dhe shqyrtim të pandërprerë nga publiku”.
Ndërkohë, kompania që po përgatit rikthimin në skenë të muzikalit “Sunday in the Park with George” të Stephen Sondheim, i planifikuar të shfaqet në teatrin Barbican në Londër gjatë vitit 2027, konfirmoi se Ariana Grande nuk do të jetë më pjesë e kastit, duke deklaruar se e mbështet plotësisht vendimin e saj.
Prej disa vitesh, pamja fizike dhe gjendja shëndetësore e këngëtares kanë qenë objekt spekulimesh në rrjetet sociale dhe media. Diskutimet u shtuan edhe më shumë pas publikimit të albumit të saj më të ri, “Petal”, si dhe materialeve promovuese që e shoqëruan atë.
Përfaqësuesi i artistes theksoi se Grande synon ta përfundojë turneun “në mënyrë të shëndetshme dhe me sukses”, përpara se të marrë një pushim të merituar nga puna dhe angazhimet publike.
