Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka ngushëlluar familjen e Rexhep Qosjes i cili vdiq në moshën 89-vjeçare.
Kjo akademi thotë se lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe anëtarit të saj e morën gjatë një aktiviteti të përbashkët në Tiranë nme Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
“Sot, gjatë një aktiviteti të përbashkët të organizuar në Tiranë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës mësuam lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të akademikut, studiuesit dhe shkrimtarit Rexhep Qosja, anëtar i ASHAK dhe anëtar nderi i ASHSH-së, një prej figurave më të shquara të mendimit shkencor, letrar dhe kombëtar shqiptar”
ASHAK ka vlerësuar figurën e tij duke thënë se akademik Rexhep Qosja përfaqësonte një personalitet të jashtëzakonshëm të kulturës mbarëshqiptare.
“Akademik Rexhep Qosja përfaqësonte një personalitet të jashtëzakonshëm të kulturës mbarëshqiptare, studiues i përkushtuar, shkrimtar dhe intelektual me ndikim të gjerë në zhvillimet shkencore, letrare dhe shoqërore. Veprimtaria e tij shumëdimensionale u karakterizua nga një qasje kritike, e argumentuar dhe e mbështetur në parime të larta akademike, duke kontribuar në mënyrë të veçantë në konsolidimin e mendimit albanologjik dhe në afirmimin e identitetit kulturor e historik shqiptar”.
“Trashëgimia që la pas, përbën një vlerë të çmuar shkencore dhe letrare, e cila do të mbetet burim referimi dhe frymëzimi për studiuesit dhe brezat që vijnë. Përmes angazhimit të tij intelektual dhe publik, ai luajti rol të rëndësishëm në mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe në ndërtimin e diskursit kritik në shoqërinë shqiptare”.
“Të dy akademitë tona shprehin mirënjohje dhe vlerësim të lartë për këtë kontribut të pashlyeshëm në zhvillimin e shkencës, kulturës dhe mendimit bashkëkohor shqiptar, si dhe për rolin e tij në forcimin e institucioneve akademike dhe të bashkëpunimit ndërakademik në hapësirën shqiptare”.
ASHAK thotë më tutje se kujtimi, vepra dhe kontributi i akademik Rexhep Qosjes do të mbeten të përhershme në fondin e kulturës dhe shkencës shqiptare dhe në ndërgjegjen kolektive të kombit tonë.
