Lajme

Autoritetet e Shqipërisë dhe Italisë operacion kundër krimit të organizuar, një i arrestuar

Një operacion i gjerë i përbashkët mes autoriteteve italiane dhe shqiptare është zhvilluar orët e para të mëngjesit të sotëm (26 maj), në kuadër të një hetimi ndërkombëtar kundër krimit të organizuar.

Sipas informacioneve paraprake, bëhet me dije se është arrestuar Ergys Kastrati alias Bishja, i cili prej 2 vitesh është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, ndërsa janë lëshuar disa masa të tjera sigurie, ku deri më tani janë ekzekutuar 4 prej tyre.

Hetimi është i ndarë në dy drejtime kryesore, por të lidhura mes tyre.

Pista e parë lidhet me një rrjet kriminal me bazë në Tiranë, i dyshuar për pastrim ndërkombëtar parash, duke transferuar shuma të mëdha cash nga Italia drejt Shqipërisë përmes skemave të strukturuara financiare.

Ndërsa pista e dytë ka të bëjë me vrasjen e Francesco Diviesti, i ndodhur në Canosa di Puglia më 25 prill 2025.

Autoritetet italiane po hetojnë rrethanat e krimit dhe lidhjet e mundshme me struktura kriminale të organizuara.

Sipas autoriteteve hetimore, elementët e grumbulluar deri tani janë rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes DIA-s së Barit dhe autoriteteve shqiptare, me mbështetjen e Zyrës së Ekspertit të Sigurisë në Tiranë dhe koordinimin e Eurojust.

Operacioni konsiderohet një tjetër shembull i bashkëpunimit gjyqësor dhe policor ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar që operon mes Italisë dhe Shqipërisë.

Hetimet janë ende në zhvillim dhe autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur numrin e personave të ndaluar apo masat e marra deri në këtë fazë./rtsh.al/

 

Të Ngjashme