Lajme

Gjykimi në mungesë për vrasjen e Diana Kastratit, Bajraktari: Drejtësia të flasë, sado e vonuar

Ngritja e aktakuzës dhe kërkesa për zhvillimin e gjykimit në mungesë ndaj Adnan Jasharit, i akuzuar për vrasjen e Diana Kastratit, kanë rikthyer shpresën se ky rast, i cili për vite me radhë është përcjellë me vonesa, më në fund do të marrë epilog në drejtësi.         

Pesëmbëdhjetë vjet pas vrasjes së Diana Kastratit, e cila u qëllua për vdekje në maj të vitit 2011, në një udhëkryq të Prishtinës, nga ish-partneri i saj, Adnan Jashari, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që procesi gjyqësor ndaj tij të zhvillohet në mungesë.

Tragjedia kishte ndodhur vetëm 22 ditë pasi Diana kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga Gjykata Komunale në Prishtinë, pas kërcënimeve të pretenduara ndaj saj dhe vajzës së saj. Megjithatë, kërkesa e saj nuk kishte marrë përgjigje, ndonëse, sipas ligjit, gjykata duhej të vendoste brenda 24 orëve.

Sipas aktakuzës, Jashari e kishte qëlluar dy herë me armë zjarri, duke e goditur në qafë, në udhëkryqin e rrugëve “Haxhi Zeka” dhe “Xheladin Kurbaliu” në Prishtinë.

Ndërkohë, Gjykata i ka bërë thirrje publike të akuzuarit që të dorëzohet dhe të paraqitet para saj, në mënyrë që procesi të zhvillohet në praninë e tij.

“Konform nenit 303 paragraf 8 të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata i bën thirrje të akuzuarit Adnan Jashari të dorëzohet dhe të paraqitet sa më parë pranë kësaj gjykate, që kjo çështje penale të zhvillohet në prezencë të tij. Gjykata i bën thirrje çdo personi që ka informacion policisë, me qëllim të sigurimit të prezencës së të akuzuarit Adnan Jashari në këtë çështje penale”.

Lidhur me këtë zhvillim, avokati Ardian Bajraktari, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se nisja e procesit gjyqësor përbën një satisfaksion për familjen dhe të afërmit e viktimës.

Image
Ardian Bajraktari

Ai ka theksuar se, pavarësisht vonesave të shumta që e kanë përcjellë këtë çështje, fillimi i gjykimit krijon shpresë që drejtësia të vihet në vend.

“Ngritja e aktakuzës dhe fillimi i procesit gjyqësor përmes gjykimit në mungesë për vrasjen e të ndjerës Diana Kastrati, përbëjnë një satisfaksion për familjen dhe të afërmit e saj.

Ndonëse ky proces është përcjellë me shumë vonesa, megjithatë është një shpresë që drejtësia ta thotë fjalën e saj, sado e vonuar që është ajo”, ka deklaruar Bajraktari.

Gjithashtu, avokati ka sqaruar se legjislacioni në fuqi mundëson zhvillimin e gjykimit në mungesë për veprën penale për të cilën akuzohet i pandehuri.

“Për veprën penale të vrasjes së rëndë, me të cilën akuzohet i pandehuri, legjislacioni mundëson zhvillimin e gjykimit në mungesë”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, sa i përket mundësisë së ekstradimit të të pandehurit, Bajraktari ka bërë të ditur se kjo çështje lidhet me bashkëpunimin juridik ndërkombëtar dhe vendimmarrjen e shtetit ku ai ndodhet.

“Ndërkaq, çështja e ekstradimit të tij i përket fushës së bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe realizimi i tij varet nga vullneti dhe vendimmarrja e shtetit në të cilin ndodhet i pandehuri”, ka deklaruar Bajraktari.

Të Ngjashme