Marina iraniane thuhet se ka vendosur mina të reja nënujore në Ngushticën e Hormuzit këtë javë, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një aeroplanmbajtëse të tretë në rajon, sipas një lajmi nga Axios të enjten, transmeton Anadolu.
Në lajm, ku citohet një zyrtar amerikan dhe një burim tjetër i njohur me çështjen, thuhet se forcat amerikane e kanë zbuluar operacionin dhe po e ndjekin nga afër. Zyrtarët kanë thënë se e dinë numrin e saktë të minave të vendosura, por nuk kanë pranuar ta bëjnë publik shifrën.
Pas informimeve mbi zhvillimet e reja, presidenti Donald Trump urdhëroi Marinën amerikane përmes një postimi në Truth Social që të qëllojë çdo anije iraniane që kapet duke vendosur mina, “pa hezitim”.
Lëvizja e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit është ndërprerë rëndë që nga fillimi i luftës SHBA–Izrael kundër Iranit më 28 shkurt, ndërsa një bllokadë detare amerikane u shpall më 13 prill.
Rreth 20 për qind e furnizimit global me naftë kalon çdo ditë përmes ngushticës, ndërsa pasiguria e shtuar ka rritur çmimet e naftës, si dhe kostot e transportit dhe sigurimeve.
Axios raportoi se Marina amerikane po përdor dronë nënujorë në ngushticë për të gjetur dhe çaktivizuar minat, një përpjekje që Trump tha se ka urdhëruar të trefishohet.
Aeroplanmbajtësja USS George H.W. Bush mbërriti në rajon të enjten si aeroplanmbajtësja e tretë amerikane e dislokuar atje, duke i dhënë Washingtonit më shumë opsione ushtarake në rast se Trump vendos të rifillojë luftën.
