Lajme

Bajqinovci ‘godet’ partitë opozitare: Kërkuan president konsensual, tani po duan…

Deputeti  Mefail Bajqinovci nga Lëvizja Vetëvendosje ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë në një emision të Euronews Albania.

Ai aty tha se Lëvizja Vetëvendosje dhe kreu i saj, Albin Kurti, ka shprehur “gatishmëri për dialog” deri në momentet e fundit.

Bajqinovci përmendi ofertat e Kurtit për partitë opozitare në këmbim të votave për të propozuarin e tyre për president, Glauk Konjufca, duke shtuar se ato s’janë pranuar.

“Ditën e hënë, ora 23:59 ë shpërndahet Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Andaj është një apel që opozita të reflektojë dhe të ulemi. Unë mendoj që kjo opozitë nuk duhet të mendojë që si zoti Kurti vetëm të mos jetë në pushtet, por të mendojë që t’i japë zgjidhje çështjes së presidentit. Ne jemi të interesuar që sa më shpejt të arrihet një zgjidhje brenda këtyre ditëve të mbetura, sepse në të kundërtën Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi treguar gatishmëri për kompromis dhe kemi ofruar zëvendëskryeministrin dhe katër ministri për Lidhjen Demokratike të Kosovës, apo edhe pozita të rëndësishme në institucionet e shtetit, si një formë e bashkëqeverisjes dhe stabilitetit institucional, por kjo ofertë fatkeqësisht nuk është pranuar dhe nuk është parë me seriozitetin e duhur nga opozita, edhe pse do të kishte shmangur një krizë të re politike”.

Bajqinovci më pas hodhi akuza në drejtim të partive opozitare, duke thënë se në fillim deshën kandidat konsensual për president, por se më pas, sipas tij, ndryshuan qëndrim.

“Opozita fillimisht ka deklaruar publikisht se kërkon një president konsensual dhe mbi partiak, që të jetë i pranueshëm për të gjitha palët politike në vend, por gjatë rrugës ka ndryshuar qëndrim dhe tani po kërkon kandidatë që vijnë drejtpërdrejt nga partitë e tyre politike, dhe kjo e vështirëson arritjen e një marrëveshjeje sepse nuk kemi më një qëndrim të unifikuar nga ana e tyre”, tha ai.

Bajqinovci shtoi se Vetëvendosje mbetet e hapur për dialog deri në momentet e fundit të afatit kushtetues, duke theksuar se zgjidhja politike është e domosdoshme për të shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe një krizë të re institucionale në vend.

Të Ngjashme