Aktuale

Bozdo për AKSHI-n: Dhjetëra milionë euro të sekuestruara i përkasin personazhit që Rama tha se jetonte me qira!

Deputeti demokrat Eno Bozdo foli sot në studion e “News 24” edhe për skandalin e AKSHI-t dhe aksionin e sekuestrimeve të SPAK ditën e djeshme, ku sekuestroi 40 mln euro në dhjetëra pasuri, asete e llogari bankare të ish-drejtoreshës Mirlinda Karçanaj e dy biznesmenëve Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi.

Ai vuri në dukje se dhjetëra milionë euro të sekuestruara në pasuri dhe llogari bankare “i përkasin një personazhi për të cilën kryeministri Rama tha se jetonte në shtëpi me qira”.

“Shikoni lajmet që dolën dje dhe sot, 40 mln euro pasuri të sekuestruara, mes tyre disa dhjetëra milionë i takojnë personazhit që Rama tha se jetonte në shtëpi me qira. Doli dhe fatura e majme rreth 1 mln euro që njëri nga këta, Ermal Beqiri i merre apo ndonjë tjetër e ia çonte Agasit”, u shpreh deputeti.

Bozdo denoncoi edhe dhunën e uniformave blu gjatë protestës së shtatë kombëtare të opozitës (17 prill), teksa theksoi se së shpejti do thirret edhe protesta e radhës, pasi PD nuk do ndalet deri në arritjen e qëllimeve të saj politike.

“Këmbëngulja ka shumë rëndësi në këto çaste. Durim derisa t’ka dalim, sepse alternativa kush është? Në protestën e shtatë patë dhunë ekstreme nga Policia drejt protestuesve. Nuk ishte dhunë rastësore. U targetuan jo vetëm protestuesit, por edhe deputetët kryesore të opozitës. I hidhet spraj i rrezikshëm kundër shikimit, njëri ka pasur dëmtime në syrin e tij të majtë, që kishte probleme me shikimin. Një tjetër pati konvulsione. Ndodh ajo që ne do vazhdojmë, do thërrasim protestën tjetër, do vendosin demokratët si do jetë, por ne do vazhdojmë. Ne do vazhdojmë, do kemi protestë tjetër dhe s’do dorëzohemi”, u shpreh ai.

Sipas ligjvënësit opozitar, regjimet nuk bien me një të rëndë të sëpatës.

“Mos të kujtojmë se regjime të tilla do të bien me një të rënë të sëpatës. Sinjalet do të vijnë dhe do jenë atje”, nënvizoi ai.

Bozdo i cilësoi protestat e opozitës si thelbësore dhe rezultative, duke sjellë si shembull ato kundër kryebashkiakut Erjon Veliaj, por edhe pas skandalit të ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.

“Opozita ka qenë thelbësore, po të mos ishte presioni i opozitës nuk e di se ku do shkonte drejtësia, unë vazhdoj të jem mosbesues ndaj drejtësisë. Paditë ndaj Belinda Ballukut janë atje prej tre vitesh, provat po, po nuk mund të pritet tre vite, nuk mund të pritet sa të bëhen zgjedhjet e 2025 dhe të përdorësh të njëjtin mekanizëm për të dhe personazhe të tjerë dhe pastaj të veprosh, të ndërhynte SPAK. Këto do i rëndojnë qeverisë në të gjithë rrjedhën shoqërore, ekonomike. Po të mos kishim bërë ato 40 protestat ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj ai do ishte ende në zyrë. Dikush do të thotë se jo, ndoshta drejtësia do kishte vepruar, nuk e di. Por të paktën ka një procedim. Do gënjeja që ka ardhur 100% nga presioni jonë, por kam besim se edhe opozita ndikoi. Janë gati 50 javë, pothuajse një vit, ndoshta do ishte si çështjet e tjera dhe do harrohej si gjithë çështjet e tjera, këtë s’ma thotë dot njeri. Këtë gjë do vazhdojmë ta bëjmë”, përfundoi Bozdo./panorama.com.al

Të Ngjashme