Vendimet e gjyqësorit për dënime me burgim të përjetshëm në raste të ndjeshme, për shoqërinë, vlerësohen si masa efektive dhe parandaluese.
Profesori i sociologjisë, Besim Gollopeni, thekson se këto dënime ndikojnë si në nivel individual, ashtu edhe në atë shoqëror.
“Në aspektin kolektiv, ndikon ndjeshëm edhe në ndërgjegjësimin e shoqërisë, që duhet të reflektojë sa herë që kemi manifestim të rasteve të dhunës, por jo t’i mbajë të heshtura, por gjithsesi t’i adresojë në instancat e duhura. Në këtë mënyrë rritet ndërgjegjësimi qytetar që dhunën ta adresojmë dhe dënojmë, por asnjëherë të mos e fshehim”, ka thënë Gollopeni.
Sistemi i drejtësisë në Kosovë ka shqiptuar mbi 20 dënime me burgim të përjetshëm. Avokati Arbër Jashari thekson se kjo tregon reagim institucional ndaj krimeve të rënda, veçanërisht atyre ndaj grave.
“Pothuajse 70 për qind e tyre janë dënime ndaj burrave që janë gjetur fajtorë për vrasjen e grave. Kjo është një indikacion i mirë që ligji po i ndëshkon këta persona me fuqinë maksimale, në mënyrë që kjo dukuri e shprehur në shoqërinë tonë të marrë trajtimin meritor dhe të gjithë kriminelët potencialë ta marrin mesazhin se krime të tilla, si vrasjet ndaj grave dhe vajzave, nuk duhet të tolerohen”, ka thënë Jashari.
Ndikimi i këtyre vendimeve vlerësohet i madh, sidomos kur proceset zhvillohen me transparencë dhe rrisin besimin e qytetarëve ndaj institucioneve, ndërsa dënimet e rënda konsiderohen se kanë rol parandalues për krimet e mundshme.
“Në anën institucionale po ashtu ka ndikim, sepse tërheq vëmendjen e institucioneve se kur merren vendime të duhura dhe përkitazi me veprat e kryera, siç ishte dënimi i djeshëm me burgim të përjetshëm, ndikon dukshëm edhe në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve. Ne e dimë që rreziku më i madh për një shoqëri vjen atëherë kur qytetarët e humbin besimin te institucionet”, ka shtuar Gollopeni.
“Të jenë preventive për të gjithë ata persona që potencialisht mund të kryejnë vepra penale në të ardhmen. Nëse personat që kryejnë vepra të tilla ndëshkohen ashpër, atëherë të gjithë personat potencialë që mund të jenë në situata ku mund të kryejnë vepra të tilla penale do të marrin mësim dhe besoj se do të pakësohet numri i tyre”, ka shtuar Jashari.
Paralelisht, profesionistët theksojnë nevojën për angazhim edhe të institucioneve të tjera, veçanërisht në arsim dhe edukim, për parandalimin e krimeve dhe rritjen e ndërgjegjësimit shoqëror.
