Lajme

​“Deri në 6€ një kilogram fasule”, ankohen qytetarët – ekonomistët tregojnë se kush po e ushqen valën e shtrenjtimit

Jakup Vitija, pensionist nga Prishtina thotë se e ka gjithnjë e më të vështirë të përballoj shpenzimet bazike të jetesës. Një pjesë e madhe e të ardhurave të tij shkon për barna, ndërsa rritja e vazhdueshme e çmimeve, sipas tij, e bën pothuajse të pamundur mbërritjen deri në fund të muajit, raporton KosovaPress.

Vitija: Çmimet po i shohim përditë duke u rritur, pagat janë të ulëta

“Çmimet janë katastrofë, po i shohim përditë duke u rritur, pagat janë të ulëta fare, sidomos për sektorin privat edhe shoqërinë civile, s’kemi çfarë të flasim. Pensionet po e dihet, 150 euro pension. Barna 30 euro në javë duhet t’i blej. Po të gjitha, s’ka asnjë që s’është e ngritur, asnjë… 05:15… S’ka shans me mbërri me një pagë, me mbërri me kryer këto deri në fund të muajit. Është e pamundur. Këto të ardhura, gjysma e rrogës shkon në barna”, u shpreh ai.

Shqetësimi i tij pasqyron një realitet me të cilin po përballen shumë familje në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në maj 2026 shënoi një rritje vjetore prej 6.8 për qind.

Pasojat e rritjes së çmimeve e konfirmojnë edhe vetë qytetarët. Imer Gjokaj thotë se kostoja e jetesës po bëhet gjithnjë e më e rëndë për familjet.

Gjokaj: Nuk ka siguri të jetës – ishalla bëhet mirë tash e tutje

“Për çmimet, katastrofë. Nuk ka jetës për rininë sidomos, as për të ardhmen… E inshallah bëhet mirë tash e tutje… 04:07… Po është vështirë, po ia dalim disi”, tha ai.

Ndërsa edhe tregtarët e konfirmojnë rritjen e çmimeve në treg, duke theksuar se kjo është e pashmangshme pasi sipas Visar Hajdari, tregtar, edhe çmimet e furnizimit kanë shënuar rritje.

Deri në 6 euro një kilogram fasule

Hajdari: 6 euro një kilogramë fasule

“Fasulja e Pejës është pak më naltë është, është 5 euro kjo, deri në 6 euro killa. Arrat janë pak më naltë, ato janë 7 euro, kështu, të paqëruara, të tjerat janë lirë krejt. Qytetarët po ankohen, po thonë çmimet pak naltë, po ne nuk mundemi tash me bë diçka zgjidhje, se ne i blejmë për t’i shitur këto.”, tha Visar Hajdari, tregtar.

Sipas tij, krahas shtrenjtimit të perimeve, ka rënë ndjeshëm edhe numri i blerësve. Ata thonë se tregu nuk është më si më parë, pasi shitjet janë përgjysmuar dhe qarkullimi ka rënë dukshëm.

S’ka blerës

Hajdari: Rënia e blerësve në treg deri 50% më pak

“Pak, që tash, unë e shoh që tash, përpara ka pasë pazari pak më të mirë, ka pasë shitje më të mirë. Kështu që tash nuk ka asgjë, tregu i thatë është, nuk ka njerëz, s’ka blerës, ka blerës aq pak. Shumë më pak është. 50% është, domethënë, rënia e tregut”, tha ai.

Këtë edhe ekspertët e ekonomisë e konsiderojnë shqetësues për një vend që vazhdon të përballet me varfëri, papunësi dhe varësi të lartë nga importi, raporton KosovaPress.

Profesori i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skenderi, thotë për KosovaPress se goditjen më të madhe nga inflacioni po e ndjejnë pensionistët dhe punëtorët me paga fikse, pasi të ardhurat e tyre nuk po përshtaten me ritmin e rritjes së çmimeve.

Sipas tij, inflacioni po e vështirëson gjithnjë e më shumë mbulimin e nevojave bazike të familjeve.

Inflacioni rreth 7% po godet më së shumti pensionistët dhe punëtorët me paga fikse

“Inflacioni i cili gjatë kësaj periudhe një vjeçare prej periudhës së muajit të vitit 2025 deri në maj 2026, sipas Agjencisë të Statistikave të Kosovës, indeksi i çmimeve të harmonizuara të konsumit ka arritur në një shifër prej 6.8% rreth 7% në përgjithësi dhe kjo është mjaft shqetësuese duke pasur parasysh faktin që ekonomia e Kosovës është një ekonomi e varfër. Dhe e dyta, ne mos të harrojmë që e zë vendin e dytë në Evropë e zënë për nga varfëria… 00:52… Kjo shqetëson sepse godet të gjithë të punësuarit të cilët janë me paga fikse, pensionistët dhe kategoritë të tjerat të cilët nuk kanë, si të them, të ardhurat e tyre ekuilibruese në bazë të shportës së konsumatorit, por ato janë fikse që nga periudhat kushtimisht them dy-tri vjeçare kështu me radhë. Edhe kjo tash e vështirëson shportën e konsumatorit në këtë kontekst, sepse godet pikërisht ato produkte dhe shërbime të cilat më tepër konsumatori është i nevojshëm”, tha Skenderi.

Sipas Skenderit, ndikimi i inflacionit vërehet veçanërisht te mallrat dhe shërbimet bazike, të cilat zënë peshën më të madhe në shpenzimet e familjeve.

Një nga sektorët që veçon ai është ai i strehimit. Ai vlerëson se kërkesa e lartë për banim në qendrat urbane, e kombinuar me numrin e kufizuar të banesave që ofrohen me qira, ka ndikuar drejtpërdrejt në shtrenjtimin e këtij sektori.

Ngjashëm vlerëson edhe ekonomisti Ismet Mulaj, i cili inflacionin e sheh si një problem strukturor të ekonomisë së Kosovës. Sipas tij, një sërë faktorësh po ndikojnë në rritjen e vazhdueshme të çmimeve, ndërsa varësia e madhe nga importi mbetet ndër shkaqet kryesore.

Rreth 90% e produkteve importohen, Mulaj: Kjo e bën Kosovën të ndjeshme ndaj inflacionit

“Domethënë është një nga sfidat kryesore që po përballet jo vetëm kjo qeveri po edhe qeveritë e kaluara. Për shkak se Kosova është ekonomi e re dhe pothuajse rreth 90% të produkteve i importon nga tregjet ndërkombëtare. Po ashtu është një faktor tjetër domethënë ka dhe disa faktorë të tjerë që ndikojnë në rritjen e vazhdueshme të inflacionit. Kosova nuk ka monedhën e vet pra e përdor monedhën evropiane euro prandaj nuk ka mundësi që të shtyp si të thuhet monedhën e vet, rrit sasinë e fuqisë blerëse në tregun e Kosovës. Po ashtu mungesa e prodhimit vendor dhe një konkurrencë të fortë brenda si të thuhet prodhuesve vendorë dhe atyre që që importojnë produktet nga tregjet ndërkombëtare. Pra është një sfidë e vazhdueshme që po e sfidon Kosovën”, tha Mulaj.

Përveç varësisë nga importi, Mulaj për KosovaPress thotë se rritja e çmimeve të derivateve ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e përgjithshme të inflacionit. Sipas tij, krizat ndërkombëtare mbeten ndër faktorët kryesorë të kësaj rritjeje.

Megjithatë, ai thekson se ndikim ka edhe struktura e tregut vendor të derivateve, i cili dominohet nga një numër i kufizuar operatorësh, çka mund të kufizojë konkurrencën dhe të ndikojë në çmime.

Përballë këtyre zhvillimeve, ekspertët vlerësojnë se zbutja e inflacionit kërkon masa afatgjata dhe ndryshime të thella në strukturën ekonomike të vendit.

Skenderi: Kosova duhet të forcojë prodhimin për të ulur varësinë nga importi dhe inflacionin

“Duhet shkuar në ndryshimin e strukturës ekonomike, të shkohet më tepër në infuzionin ekonomike drejt prodhimit, të përkrahen proceset prodhuese, firmat prodhuese të përkrahen më tepër, po edhe ato të cilat janë shërbyese që ofrojnë vende të reja të punës në këtë kontekst. Edhe në këtë aspekt do të do të ishte shumë e mirëseardhur angazhimi i të gjitha, si të them, subjekteve politike për ta gjetur një formulë të përbashkët për ndryshimin e strukturës ekonomike në Kosovë sepse me këtë strukturë ekonomike deri sa neve jemi, kemi një disbalancë shumë të madh në mes të eksporteve dhe importeve, kemi deficit tregtar shumë të lartë, kemi papunësi po ashtu shumë të lartë, kemi varfëri po ashtu që po vjen duke u rritur shumë shumë lartë, dhe në këtë kontekst të gjithë indikatorët kryesorë makroekonomikë janë duke shënuar negativizëm në zhvillimin e tyre substancial ekonomik dhe social”,tha ai.

Në të njëjtën linjë, edhe Mulaj vlerëson se qeveria duhet të ndjekë një qasje më gjithëpërfshirëse për të frenuar inflacionin dhe për të krijuar një ekonomi më konkurruese.

Mulaj: Duhet krijuar forcë konkurruese në raport me produktet nga tregu ndërkombëtar

“E para duhet të rritet domethënë fuqia prodhuese në Kosovë, ky është elementi i parë. Së dyti duhet të hetohen ose të eliminohen mundësitë që paraja e drogës ose paraja jo jo ligjore të hyjë në tregun e Kosovës se ajo ndikon në mënyrë drejtpërdrejt në rritjen e inflacionit. Së treti duhet të krijojë një ambient më konkurrues ku bizneset kosovare arrijnë si të thuhet të krijojnë forcë konkurruese në raport me me produktet që vijnë nga tregu ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Mulaj shton se ulja e çmimit të energjisë elektrike, si dhe harmonizimi i rritjes së pagave dhe subvencioneve me rritjen e prodhimit vendor, janë ndër masat që mund të ndihmojnë në frenimin e inflacionit.

Sipas ekonomistit, nëse trendi i rritjes së çmimeve vazhdon dhe nuk shoqërohet me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, pasojat mund të jenë të ndjeshme si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset.

Mulaj: Inflacioni i vazhdueshëm mund ta çojë ekonominë drejt kolapsit

“Varfëria më e madhe domethënë varfëria më e madhe për qytetarët e Kosovës, natyrisht prodhokan me të predominuar produktet që vijnë nga tregjet ndërkombëtare, varfërim më i madh i bizneseve prodhuese në Kosovë, konkurrencë jo e drejtë ndërmjet prodhuesit vendor dhe atij rajonal dhe ndërkombëtar. Edhe mundet me dërguar edhe drejt një lloj kolapsi ekonomik domethënë për shkak se qytetarët edhe kanë me të pritur rritjen e pagave edhe kur pagat janë më të larta, ekonomia është më e dobët atëherë ky disbalancë krijon domethënë rritje të inflacionit dhe kjo shkakton efekte negative zinxhirore në ekonominë e Kosovës”, paralajmëroi Mulaj.

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në Kosovë shënoi rritje vjetore prej 6.8 për qind në muajin maj 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa në baza mujore u regjistrua rënie prej 0.4 për qind, bën të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Ndryshe, inflacionit në muajin prill 2026 kishte arritur në 7.5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të Ngjashme