Gjykata Themelore të Prishtinë sot ka shpallur aktgjykim dënues me burgim të përjetshëm ndaj dy të akuzuarve Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviqin e dënoi me 30 vjet burgim, të gjithë të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, i cili ndodhi më 24 shtator. Si pasojë e këtij sulmi mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Dy të akuzuarit, Spasojeviq dhe Toliq nuk ishion prezentw në gjykatore, ndërsa Dushan Maksimoviq ishte prezent në momentin kur u shpall vendimi ndaj tyre.
Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni deklaroi se në dënimin e shqiptuar të dënuarve u llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit.
Arrni: Spasojeviq dhe Toliq dënohen me burgim të përjetshëm, Maksimoviq me 30 vjet burgim
“Të akuzuarin Blagoje Spasojeviq me dënim me burgim të përjetshëm. Në dënimin e shqiptuar nw burgim i llogaritet koha e kaluar në masën e paraburgimit. Të akuzuarin, Vladimir Toliq e gjykon me dënim me burgim të përjetshëm. Në dënimin e shqiptuar me burgim, i llogaritet koha e kaluar në masën e paraburgimit. Të akuzuarin, Dushan Maksimoviq e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 30 vjetwsh. Në dënimin e shqiptuar me dënim llogaritet koha e kaluar në masën e paraburgimit”, tha ai.
Arrni në arsyetim të vendimit të sotëm tha se tre të akuzuarit përfshirë edhe anëtarë të tjerë kanë sulmuar pjesëtarët policorw më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Arrni: Tre të akuzuarit janë fajtorë
“Të akuzuarit, Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq janë fajtorë…. Sepse me datë 24.09.2023, nga ora 01:00, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, të akuzuarit Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç, Dushan Maksimoviç, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë të grupit tani të arratisur me role të ndryshme, duke filluar nga roli i bllokimit të rrugës, të trajnuar në mënyrë profesionale, ku pjesa më e madhe e grupit pasi që kanë hyrë në mënyrë të organizuar përmes rrugëve malore ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës, nga Republika e Serbisë, me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketa hedhëse, eksploziv, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake, fillimisht kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë, pastaj janë fshehur dhe kanë zënë pozicionet e tyre dhe pasi që kanë ardhur zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës, për të hequr kamionëve dhe liruar rrugën, në atë moment i kanë sulmuar me eksploziv dhe armë të rënda, me ç’rast tek ura e fshatit ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku”, tha ai.
Sipas Arrnit, gjithë ky sulm kishte qëllim shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimin me Serbinë.
Arrni: U tentua shkëputja e pjesës veriore të Kosovës
“E gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojë dhe shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike e shoqërore të Republikës së Kosovës. Përmes këtij plani mirë të organizuar, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku, ndërsa është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe qytetarëve”, deklaroi gjyqtari Arrni.
Kujtojmë që në fjalën përfundimtare në këtë proces gjyqësor, prokurori i rastit, Naim Abazi kërkoi burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit. Burgim të përjetshëm për Spasojeviq, Toliq dhe Maksimoviq kërkuan edhe mbrojtja e zyrtarëve policor që u lënduar gjatë sulmit terrorist si dhe avokati i familjes së rreshterit, Afrim Bunjaku i cili mbeti i vrarë më 24 shtator 2023.
Në fillimit të gjykimit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq i kanë mohuar akuzat me të cilat i ngarkon Prokuroria Speciale.
Në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023 Policia e Kosovës u ballafaqua me sulm terrorist.
Nga ai sulm terrorist mbeti i vrarë rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.
Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator pati ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Milan Radoiçiq, si udhëheqës i grupit, cili ka marr përgjegjësinë për këtë sulm terrorist.
Sipas aktakuzës të akuzuarit kanë kryer veprën penale “kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpërlarje të parasë.
Javën e kaluar është arrestuar Stefan Raduloviq, i dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Për Radoiçiqin dhe 40 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, Prokuroria Speciale kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.
Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe të disa aleatëve ndërkombëtarë.
