SPAK ka përfunduar gjykimin e çështjes për një grup të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës..
Vendimet kryesore për të pandehurit:
Luc Melaj u shpall fajtor për disa vepra penale, përfshirë kalimin e paligjshëm të kufijve, falsifikim dokumentesh, drejtim grupi kriminal dhe mbajtje armësh pa leje. Ai u dënua me një total prej 12 vjet burgimi, i cili u ul me 1/3 sipas gjykimit të shkurtuar, duke rezultuar në 8 vite burgim. Vuajtja e dënimit do të fillojë nga data 22.07.2024 dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.Emanuel Melaj u shpall fajtor për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufijve dhe u dënua fillimisht me 6 vjet burg. Pas aplikimit të dispozitave të Kodit Penal, dënimi përfundimtar u reduktua në 4 vite burg, me pezullim të ekzekutimit dhe vendosje në provë për 3 vjet, duke vendosur kushte të veçanta për sjelljen dhe kontaktet e tij.
Gëzim Camaj u shpall fajtor për dhënie ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufijve dhe u dënua fillimisht me 6 vjet burg. Pas aplikimit të nenit 406 dhe pezullimit të ekzekutimit të dënimit, ai do të qëndrojë në provë për 3 vjet me kushte të ngjashme si Emanuel Melaj.
Sekuestrimet dhe konfiskimet
Gjykata ka urdhëruar konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të sendeve dhe mjeteve të sekuestruara, përfshirë:
Shuma parash: 625.000 lekë, 8.125 euro, 3.060 dollarë amerikan dhe 240 dollarë kanadez.
Automjete: Mercedes Benz dhe Volkswagen në pronësi të Luc Melaj, të sekuestruara pranë Drejtorisë së Forcave Operacionale të Policisë.
Aparate telefoni: disa modele iPhone, Nokia dhe Samsung, në pronësi të të pandehurve, si dhe pajisje të tjera teknologjike dhe materiale udhëtimi.
Fishekë dhe armë të tjera të sekuestruara nga Luc Melaj, të cilat do të kalojnë te entet përkatëse përkatëse.
Gjykata ka vendosur gjithashtu kthimin e disa sendeve personale për shtetasit e përfshirë, duke përfshirë dokumente udhëtimi, mandate bankare dhe pajisje elektronike të sekuestruara.
Vendimi i gjykatës është i plotë dhe i detyrueshëm, ndërsa SPAK njofton se hetimet dhe gjykimet në këtë rast janë zhvilluar në përputhje me standardet ligjore dhe me rregullat e procedurës penale.
