Lajme

Dy ish-pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” largohen nga institucionet e Kosovës

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se janë ndërprerë kontratat e punës për nëntë zyrtarë të institucioneve që veprojnë në kuadër të kësaj ministrie.

Sipas njoftimit të Pacollit, shtatë prej zyrtarëve janë nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ndërsa dy të tjerë nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.

Ajo ka deklaruar se këta të fundit janë pjesëtarë të komunitetit serb dhe njihen edhe si ish-pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”.

Pacolli ka bërë të ditur se vendimet për shkëputjen e kontratave janë marrë për shkak të mungesës së vazhdueshme në vendin e punës, si dhe në bazë të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Me këto masa, numri i përgjithshëm i kontratave të ndërprera në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe institucioneve të saj vartëse ka arritur në 29.

“Paraprakisht janë shkëputur kontratat për 20 zyrtarë të MMPH-së, ndërsa tash edhe për nëntë zyrtarë të AMMK-së dhe AKK-së”, ka deklaruar Pacolli.

Ajo ka theksuar se çdo i punësuar në institucionet publike duhet të përmbushë obligimet që dalin nga kontrata e punës, duke paralajmëruar se zbatimi i ligjit do të vazhdojë pa dallime.

“Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse zyrtari publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe me respektim të plotë të detyrës zyrtare”, ka thënë Pacolli.

Të Ngjashme