Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka bërë një adresim gjatë seancës së sotme, në lidhje me deklaratat e bëra gjatë ditës së djeshme nga deputeti Fatos Geci, të cilat nxitën reagime të mëdha publike, përcjell “Bota sot”.
“Së pari, siç e keni parë të gjithë në seancën e kaluar kam ndërhyrë ndaj fjalës së deputetit Geci, sepse ajo deklaratë ishte e rëndë, përçarëse dhe e papranueshme. Dua të ritheksoj se krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë dhe uroj që vendimi i Gjykatës do ta korrigjojë padrejtësinë e madhe të Prokurorisë së Specializuar.
Si kryetare e Kuvendit e dënoj pa asnjë mëdyshje këtë gjuhë dhe e bëj të qartë se nuk do lejojë që foltorja e Kuvendit të përdoret për sulme të tilla. Po le të debatojmë me argumente dhe ide, por assesi me qëndrime që cënojnë luftën çlirimtare dhe ata që i dolën zot në kohën dhe në periudha më të vështira të popullit tonë”, deklaroi Haxhiu.
Më tej, ajo e dënoi edhe gjuhën seksiste ndaj deputetes së PDK-së, Vlora Çitaku.
“Kuvendi i Kosovës nuk është dhe nuk do bëhet asnjëherë arenë e sulmeve gjinore, gjuha seksiste dhe poshtruese ndaj grave në politikë, por edhe ndaj çdo gruaja është e papranueshme dhe e turpshme”, u shpreh mes të tjerash Haxhiu, përcjell “Bota sot”.
