Lajme

Elezi: Sot mbyllet afati për aplikim online për akreditim të vëzhguesve dhe mediave për vëzhgimin e zgjedhjeve të 7 qershorit

Sot, më 30 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbyllë afatin për aplikim online për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për të vëzhguar zgjedhjet e 7 qershorit dhe aktivitetet tjera pas ditës së zgjedhjeve.

Lajmi është bërë i ditur nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili për EO ka treguar se kush mund të aplikojë për tu akredituar si vëzhgues.

Deri në përfundim të ditës së sotme, e shtunë, 30 maj 2026, subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve”, njoftoi Elezi.

Elezi tregoi se edhe në këto zgjedhje, KQZ ka planifikuar organizimin e një programi të veçantë për vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, të cilët përfaqësojnë institucione që merren me organizimin e zgjedhjeve dhe organizata të specializuara në fushën e zgjedhjeve.

Programi për vëzhguesit ndërkombëtarë ka për qëllim të prezantojë sistemin zgjedhor të Republikës së Kosovës, kornizën ligjore dhe administrimin e zgjedhjeve. Vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët përfaqësojnë institucione që merren me organizimin e zgjedhjeve në vendet e tyre dhe organizata të specializuara në fushën e zgjedhjeve, do të kenë mundësi që të përcjellin nga afër aktivitete të ndryshme, duke filluar shpërndarjen e materialeve zgjedhore, hapjen e vendvotimeve dhe votimin në komuna të ndryshme dhe procesin e numërimit të fletëvotimeve”, tha Elezi.

Sipas tij, në kuadër të këtij programi, vëzhguesve do t’iu mundësohet zhvillimi i vizitave institucionale dhe aktivitete me karakter kulturor, me qëllim njohjen e vendit tonë.

Elezi ka theksuar se për KQZ-në, vëzhgimi i zgjedhjeve ka rëndësi të veçantë, pasi vëzhguesit ndihmojnë në rritjen e besueshmërisë në procesin zgjedhor dhe identifikimin e mangësive në organizim.

Vëzhgimi i zgjedhjeve është një element thelbësor për garantimin e transparencës, integritetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor. Për KQZ-në, angazhimi i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë paraqet një mekanizëm të rëndësishëm mbikëqyrës, i cili ndikon në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj procesit zgjedhor. KQZ e vlerëson vëzhgimin si të domosdoshëm, pasi ai mundëson përcjelljen e të gjitha fazave të zgjedhjeve – duke nisur nga përgatitjet, dita e votimit, e deri te numërimi dhe shpallja e rezultateve”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, vetëm vëzhguesit e akredituar nga KQZ do të mund të vëzhgojnë procesin përgatitor, mbajtjen e zgjedhjeve dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Si bëhet aplikimi?

Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatës joqeveritare, organizatës qeveritare/ndërqveritare, organizatës ndërkombëtare të specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut; mediave; dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org

Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online në mënyrën që të bashkangjesë edhe të dhënat për personat e organizatës / medias që kërkon të akreditohen.

Të Ngjashme