Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se, në koordinim me Policinë e Kosovës, po vazhdojnë intensivisht hetimet lidhur me rastin e dyshuar të krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, deri më tani janë arrestuar tre persona, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
“Deri më tani, tre persona janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’. Gjatë hetimeve janë kontrolluar disa lokacione“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria njofton se gjatë veprimeve hetimore në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim.
“Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë“, theksohet në njoftim.
Sipas Prokurorisë Speciale, hetimet janë duke vazhduar edhe në një lokacion të tretë.
“Aktualisht, hetimet po zhvillohen në një lokacion të tretë. Prokurorja përgjegjëse ishte në vendngjarje së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë për të mbikëqyrur veprimet hetimore“, thuhet më tej.
Prokuroria Speciale thekson se, për shkak të fazës së ndjeshme të procedurës, nuk mund të japë më shumë detaje në këtë fazë të hetimit.
“Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale nuk mund të japë informacione të mëtejshme në këtë moment. Informacione shtesë do të publikohen kur kjo të jetë e mundur pa cenuar hetimin“, përfundon njoftimi.
