Aktuale

“Gysi u tregoi institucioneve foton e Vis Martinajt të vrarë, kështu fitoi besimin e Ramës”; Hoxha e Qyno zbulojnë prapaskenat

Ergys Agasi u ka treguar policisë dhe institucioneve të tjera fotografi që provonin vrasjen e Ervis Martinajt. Këtë deklaroi Elton Qyno në podcastin “MaShqip me Flamur Vezaj”, ku bashkë me Artan Hoxhën foli për fuqizimin e Agasit pas zhdukjes së Martinajt në gusht 2022. Sipas Qynos, informacioni mund të ketë shkuar edhe te Edi Rama dhe prej asaj kohe Agasi fitoi besimin e kryeministrit.

Pamfleti e kishte ngritur prej muajsh këtë histori. Në shkrimin e 21 marsit 2026, u botua artikulli që tregonte se Agasi i ngjiti majat pas eliminimit të Martinajt dhe se njerëz të rrethit të tij flisnin për një video me trupin e copëtuar, të cilën, sipas informacioneve të Pamfletit, e dispononte një grup në Vlorë. Pamfleti pyeti atëherë si mund të qarkullonin hollësi të tilla mes njerëzve të Agasit, ndërsa institucionet nuk jepnin asnjë përgjigje për fatin e Martinajt.

Elton Qyno foli për fotografi që Agasi, sipas tij, ua kishte treguar vetë institucioneve. “Me foto u tregoi institucioneve se Ervis Martinaj është vrarë dhe për këtë mori gjithë besimin e Ramës”, tha gazetari, duke shtuar se Agasi mund t’ia ketë dërguar materialin edhe Vlora Hysenit. Qyno e vendosi pikërisht në atë periudhë ndryshimin e pozicionit të Agasit.

Artan Hoxha tha se Agasi kishte nisur të ngrihej që në kohën e çështjes së inceneratorëve, ndërsa pas gushtit 2022 mori një peshë tjetër. Hoxha e lidhi fuqinë e Agasit me atë që e quajti “imunitet” politik nga kryeministri dhe u shpreh se “imuniteti i Ergysit iu hoq po nga ata që ia vendosën”. Sipas tij, Agasi mori rolin e “koordinatorit” pas Vangjush Dakos, me mbështetjen e Ramës.

Hoxha deklaroi gjithashtu se është i bindur që Martinaj është vrarë dhe se trupi i tij është zhdukur. Ai tregoi se kishte shkuar te familja e Martinajt dhe kishte folur publikisht për vrasjen vetëm pasi ishte bindur se zhdukja nuk ishte një inskenim.

Deklaratat e Hoxhës dhe Qynos rikthejnë pyetjen që Pamfleti ngriti në mars, tani me një hollësi të re. Nëse fotografitë që përshkruan Qyno iu treguan policisë dhe institucioneve të tjera, ku përfunduan ato? Agasi, sipas dy gazetarëve, dinte çfarë kishte ndodhur me Martinajn në kohën kur shteti vazhdonte ta trajtonte fatin e tij si mister.

Të Ngjashme