Halil Geci ka ngritur akuza të rënda lidhur me vrasjet politike të pasluftës, pretendimet për bashkëpunim me shërbime të huaja dhe përgjegjësinë e figurave politike që, sipas tij, lidhen me ish-udhëheqjen e PDK-së. Ai ka kërkuar zbardhjen e të gjitha vrasjeve dhe vendosjen e drejtësisë, duke theksuar se patriotizmi nuk mund të shërbejë si mburojë ndaj përgjegjësisë.
Në një reagim publik, Geci ka kritikuar atë që e cilëson si përmbysje të historisë dhe sakrificës së Drenicës, duke pretenduar se disa persona kanë shfrytëzuar luftën dhe sakrificën kombëtare për interesa personale.
Ai ka përmendur edhe pretendimet për lidhje të personave të caktuar me shërbimet franceze DGSE dhe ish-shërbimin jugosllav UDB, duke pretenduar se qëllimi i tyre nuk kishte qenë çlirimi i Kosovës, por rikthimi i një autonomie nën tutelën e Serbisë.
Geci ka përmendur deklarimet e ish-shefit të Shërbimit Informativ të Shtetit të Shqipërisë, Fatos Klosi, të cilit i referohet në mbështetje të pretendimeve të tij për synimet politike të personave që i kritikon.
Më tej, ai ka lidhur këto pretendime me vrasjen e ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, atentatin ndaj ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe vrasjet e figurave të afërta me të, duke përmendur edhe përvojën e familjes së tij.
Sipas Gecit, pas luftës, shumë familje që kërkuan zbardhjen e vrasjeve politike u përballën me presione dhe akuza, ndërsa personat që duhej të jepnin llogari, sipas tij, u fshehën pas patriotizmit.
Ai ka përmendur familjet Geci, Dajaku, Kastrati, familjen e Haki Imerit, Smajl Hajdarit, Xhemajl Mustafës dhe Komandant Drinit, si dhe avokatin Gazmend Halilaj, duke thënë se këto familje vazhdojnë të mbartin dhimbjen dhe kërkojnë drejtësi.
Duke folur për përgjegjësinë politike të degës së PDK-së në Skenderaj, Geci ka përmendur edhe Hashim Thaçin dhe persona të tjerë të rrethit të tij, ndaj të cilëve ka ngritur pretendime për pasurim përmes veprimeve të kundërligjshme.
Megjithatë, ai ka theksuar se çdo dyshim duhet të trajtohet mbi bazën e fakteve dhe provave.
Geci është ndalur edhe te procesi gjyqësor në Hagë, duke thënë se vendimi i dhënë në këtë proces mbetet për t’u shqyrtuar në procedurën e apelit dhe se duhet pritur përfundimi i procedurave gjyqësore.
Në fund të reagimit, ai ka theksuar se kërkesa për zbardhjen e vrasjeve politike nuk përbën tradhti, por është e drejtë dhe detyrim ndaj viktimave dhe Kosovës.
“Patriotizmi i disa të ashtuquajturve çlirimtarë nuk i mbron nga përgjegjësia!”, ka shkruar Geci.
Ai ka përfunduar reagimin me një mesazh për Drenicën, duke kundërshtuar, siç thotë, përvetësimin e saj nga individë apo parti politike.
“Drenica është e popullit, jo pronë e tre apo katër zuzarëve dhe as e ndonjë partie!”, ka përfunduar Halil Geci.
Shkrimi i plotë (pa ndërhyrje):
DRENICA NUK DUHEJ TË LEJONTE QË HISTORIA, SAKRIFICA DHE GJAKU I DERDHUR NDËR SHEKUJ TË PËRMBYSET NGA NJË POLAR I SHOQËRUAR NGA DY APO TRE ZUZARË QË I SHKONIN PAS!
Dyshimet se Polari dhe zagarët përreth tij ishin të shitur ngrenë pikëpyetje për lidhjet me shërbimet antishqiptare, përfshirë DGSE-në franceze dhe UDB-në jugosllave.
Fatos Klosi ka deklaruar hapur se synimi i Polar-it nuk ishte çlirimi i Kosovës, por rikthimi i autonomisë nën tutelën serbe.
Prandaj, për këta njerëz, kjo tezë ishte punë e kryer. Të bashkuar rreth të njëjtit kazan të tradhtisë, kishin ndarë mendjen ta shfrytëzonin sakrificën kombëtare për t’u bërë milionerë.
Sipas kësaj teze, kushdo që e pengonte projektin e tyre për ta mbajtur Kosovën si autonomi nën tutelën serbe, të ngjashme me autonominë e dikurshme të kohës së Titos, duhej të largohej nga rruga e tyre me çdo kusht, madje edhe përmes likuidimit fizik.
Në bashkëpunim me UDB-në dhe shërbimin francez DGSE, u vra, edhe komandanti legjendar Adem Jashari.
Kështu nisën likuidimet politike, duke filluar me vrasjen e ministrit Ahmet Krasniqi, atentatin kundër Ibrahim Rugovës dhe vrasjet ndaj rrethit të tij politik, ku u përfshimë edhe ne, vëllezërit Geci të Llaushës.
Kjo, sipas bindjes sime, ishte arsyeja pse tradhtarët e vendit, të rreshtuar pas Hashim Thaçit, i ndiqnin dhe i vrisnin rugovistët kudo që i zinin.
Për këto çështje të rënda, drejtësia në Hagë ka dhënë vendimin e saj, i cili mbetet për t’u shqyrtuar në procedurën e apelit. Tani mbetet që procesi gjyqësor të përfundojë dhe drejtësia përfundimtare të respektohet.
Luftën, ky popull e përjetoi me dhimbje, gjak e sakrifica. Por më të dhimbshme ishin vrasjet e atdhetarëve, të cilët i vrisnin dhe pastaj i quanin tradhtarë.
Të të vrasin tradhtarët shqipfolës, të shiturit e shërbimeve franceze dhe të UDB-së, e pastaj të të quajnë tradhtar — kësaj i thonë: lumë për të ligun, sa i fortë që është…!
shumë prej nesh përjetuam një zhgënjim të hidhur: ata që kërkuan drejtësi u përballën me presione e akuza, ndërsa ata që duhej të jepnin llogari shpesh u fshehën pas flamurit të patriotizmit.
Sot, kur flasim për përgjegjësinë politike të degës së PDK-së në Skenderaj dhe për figurat që lidhen me të, përfshirë Hashim Thaçin dhe disa njerëz të rrethit të tij, të cilët, sipas bindjes sime, janë pasuruar përmes veprimeve të kundërligjshme, duhet të kërkojmë llogari për çdo veprim të dyshimtë, por gjithmonë duke u mbështetur në fakte dhe prova.
Ne, vëllezërit Geci, familja Dajaku, familja Kastrati, familja e Haki Imerit, e Smajl Hajdarit, e Xhemajl Mustafës, Komandant Drinit, si dhe avokati Gazmend Halilaj e shumë familje të tjera, mbartim dhimbje, plagë dhe përvoja të ngjashme. Pa u zbardhur këto raste dhe pa u vënë drejtësia në vend, nuk mund të ketë qetësi të vërtetë.
Dhimbja e familjeve të të vrarëve, sakrifica e tyre dhe e drejta për të kërkuar drejtësi nuk duhet të përdoren kurrë për ta heshtur tjetrin. Asnjë familje nuk duhet të përjashtohet, asnjë dhimbje nuk duhet të mohohet dhe asnjë sakrificë nuk duhet të shfrytëzohet për interesa politike.
Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, sepse e vërteta nuk i përket vetëm një familjeje, por gjithë Kosovës.
Patriotizmi i disa të ashtuquajturve çlirimtarë nuk i mbron nga përgjegjësia!
Po ashtu, kërkesa për drejtësi dhe zbardhjen e vrasjeve politike nuk është tradhti, por e drejtë dhe detyrim ndaj së vërtetës, viktimave dhe Kosovës.
Kosova nuk ka nevojë për shpifje e propagandë. Ka nevojë për prova, drejtësi dhe përgjegjësi, pa dallim partie, pushteti apo të kaluare.
Unë, që e kam përjetuar luftën dhe pasluftën, e them qartë: nuk kemi luftuar që disa ta trajtojnë shtetin si pronë të tyre, por që qytetarët të jetojnë të lirë, të barabartë dhe me dinjitet.
Drenica është e popullit, jo pronë e tre apo katër zuzarëve dhe as e ndonjë partie!
Halil Geci
