Lajme

Ismaili: Furnizimi me barna përgjegjësi e shtetit, Vitia i kundërpërgjigjet: Unë nuk jam polic

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka ngritur shqetësimin për mungesën e barnave dhe problemet me furnizimin në institucionet shëndetësore në Kosovë, duke kërkuar që debati politik të përqendrohet te pacientët dhe përgjegjësia institucionale.

Gjatë fjalës së tij sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, Ismaili ka theksuar se ka pacientë që nuk kanë marrë barnat e nevojshme për trajtimin e sëmundjeve të tyre, duke nënvizuar se furnizimi me barna është përgjegjësi që u takon institucioneve dhe jo çështje partiake, raporton KosovaPress.

Ismaili ka kritikuar tendencën që çështja e furnizimit me barna të shndërrohet në përplasje ndërmjet partive politike, duke thënë se në këtë mënyrë lihet anash problemi kryesor.

Deputeti i PDK-së ka thënë se përplasjet politike po e zhvendosin vëmendjen nga dhimbja e pacientëve dhe familjeve të tyre, të cilat vazhdojnë të përballen me vështirësi për sigurimin e barnave.

Duke folur për përgjegjësinë shoqërore dhe institucionale, ai ka përmendur edhe rastet kur qytetarët humbin jetën dhe kur mungesa e barnave ngrihet si shqetësim, duke kërkuar reflektim për shkaqet dhe përgjegjësitë.

Sipas Ismailit, një pjesë e kostos së shërbimeve shëndetësore mbulohet nga shteti, ndërsa pjesën tjetër të konsiderueshme e paguajnë vetë qytetarët.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në replikën e tij ndaj deputetit të PDK-së, Uran Ismaili, ka deklaruar se shëndetësia në Kosovë ka shënuar avancim dhe se ky proces do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ai ka thënë se nuk është në kompetencën e tij që të veprojë si organ i hetuesisë apo i drejtësisë, duke theksuar se tashmë me këtë çështje duhet të merren institucionet përkatëse të ligjit.

“Duhet ta dimë një gjë: është rast unik, një auditim i cili u iniciua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Bordi që i ka gjetur këto të dhëna… Por tash unë nuk mundem, se s’jam as polic, as prokuror e as gjykatës, e besa as fizikisht nuk jam i përgatitur që të shkoj të përballem me ata njerëz pa forcën e ligjit. Tash ligji merret me këtë çështje”, ka thënë ministri Vitia.

Kuvendi i Kosovës në seancën plenare sot më 12 nëntor po mban interpelancën me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që kishte mbetur katër muaj pa terapi dhe mungesën e barnave onkologjike. 

Të Ngjashme