Lajme

​Hamza: PDK bëri shtetin, policinë, ushtrie e autostradat, qeveria aktual nuk ka asnjë rezultat

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër I këtij subjekti politik, Bedri Hamza, ka kritikuar qeverisjen aktuale për mungesë rezultatesh konkrete, duke vlerësuar se gjashtë vitet e fundit kanë sjellë regres për vendin.

Përmes një postimi publik, Hamza tha se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje për gjendjen aktuale dhe nuk mund të vazhdohet me, siç u shpreh ai, fajësime, arsyetime dhe kriza të njëpasnjëshme politike.

Sipas tij, shumë familje po përballen çdo ditë me çmime të larta dhe vështirësi ekonomike, derisa vendi ka nevojë për zhvillim dhe perspektivë më të mirë.

Hamza deklaroi se Partia Demokratike e Kosovës e kishte dorëzuar qeverisjen me Kosovën shtet të pavarur, me institucione stabile, autostrada moderne dhe partneritete të fuqishme me aleatët ndërkombëtarë.

“Shtetin e kemi ndërtuar bashkë. Kemi ndërtuar polici dhe ushtri që sot janë shembull për rajonin”, ka deklaruar Hamza.

Ai theksoi se qytetarët meritojnë rezultate konkrete, zhvillim dhe më shumë shpresë për të ardhmen e vendit.

“Qytetarët meritojnë rezultate. Meritojnë zhvillim. Meritojnë shpresë. Koha për ndryshim është tani”, ka përfunduar Hamza postimin e tij.

Të Ngjashme