Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot masakrën në Abri të Epërme ku 28 vjet më parë forcat serbe masakruan familjen Deliu, përfshirë edhe foshnje.
“Sot, në përvjetorin e masakrës në Abri të Epërme, kujtojmë me dhimbje të thellë këtë ngjarje tragjike që la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë. 28 vjet më parë, forcat serbe kryen një akt barbar ndaj familjes Deliu, duke ekzekutuar 23 anëtarë, nga foshnja disa muajshe deri te plaku 94 vjeçar. Ata ishin shqiptarë të pafajshëm që dëshironin vetëm të jetonin të lirë në trojet e tyre. Po atë ditë, mësuesi trim Vesel Demaku, së bashku me dy nxënësit e tij, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdari, ranë duke luftuar me guxim kundër armikut, duke mbrojtur lirinë deri në frymën e fundit”.
Haradinaj tha se Kosova e pagoi shtrenjtë okupimin me spastrim etnik, shkatërrime dhe humbje njerëzore.
“Por vullneti ynë për liri dhe pavarësi mbeti i palëkundur. Lavdi e përjetshme Martirëve të Abrisë dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për Atdheun!”.
