Avokatja Besiana Ismajli, në “Edicionin Special” , ka deklaruar se mundi dhe sakrifica e policëve të dëmtuar në rastin “Banjska” ka rënë në vend, pas dënimit me burgim të përjetshëm të Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq, si dhe me 30 vjet burgim të Dushan Maksimoviqit.
“Me sot, mundi dhe sakrifica e policëve tanë të dëmtuar ka rënë në vend, është një qetësim shpirtëror”, tha Ismajli.
Ajo shtoi se të përfshirët e tjerë në këtë rast mund të arrestohen, pasi ekzistojnë prova, ndonëse sipas saj ata janë strehuar në Serbi.
“Mund të arrestohen pavarësisht që janë të strehuar mirë nga Serbia, sepse provat ekzistojnë. Një gjykim në mungesë nuk është vlerësuar nga Gjykata, pasi për terrorizëm duhet të jenë prezent për t’u gjykuar”, u shpreh ajo.
Avokatja theksoi se edhe personat e tjerë të përfshirë, në krye me Milan Radoiçiqin, do të përballen me të njëjtin fat pas arrestimit.
“Do të gjykohen njëjtë, sepse provat janë të njëjta. Edhe pse nuk kanë qenë fizikisht aty, janë parë rolet e tyre gjatë organizimit, planifikimit, mobilizimit dhe komunikimit. Pritet të arrestohen dhe të gjykohen në të njëjtën formë, dhe shpresojmë që do të dënohen njëjtë si këta të tre”, tha Ismajli.
