Aktuale

Ja kush është i riu që do kryente atentatin në Lezhë! Katër vite më parë tentuan ta vrisnin

Personi që shihni në foton e mëposhtme është Vinçesk Piroli, një nga personat që u ndaluan sot në Lezhë, pasi po planifikonin të kryenin një atentat.

Ai rezulton një personazh me precedentë të mëparshëm kriminal, pasi më herët është akuzuar për një vrasje në Mal të Zi. Ndërkohë, në janar të 2022-shit ai vetë ka qenë shënjestër e një atentati në Shkodër.

Piroli ishte duke udhëtuar me një mjet të vjedhur në Suedi, së bashku me Kristian Ymerin (Shkambi) në rrugën e vjetër Pllanë-Lezhë, ku kishin planifikuar të kryenin krimin.

Bashkë me ta është ndaluar edhe Elen Tarja, i cili do t’i ndihmonte që të largoheshin nga vendngjarja me një automjet. Të tre personat sipas policisë rezultojnë me precedent të mëparshëm penalë.

Njoftimi i policisë:

Lezhë/Puna e mirëorganizuar dhe e shpejtë policore parandalon një vrasje

Finalizohet operacioni i koduar “Detajet”.

Vihen në pranga 3 shtetas, të cilët, në mënyrë të organizuar dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin vrasjen.

2 prej tyre, të armatosur dhe me skafandra, lëviznin me një motomjet të vjedhur në Suedi, në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”, për të kryer krimin.

Shtetasi tjetër, bashkëpunonte me ta, duke i ndihmuar që të largoheshin me automjet nga zona ku kishin planifikuar të kryenin vrasjen.

Sekuestrohen 3 armë zjarri (pistoleta), si dhe automjeti dhe motomjeti i përdorur në këtë rast.

Si rezultat i punës së mirëorganizuar operacionale të specialistëve të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në kuadër të intensifikimit të punës operative dhe kontrolleve, me objektiv madhor parandalimin e ngjarjeve kriminale, u finalizua operacioni i koduar “Detajet”.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit E. T., 25 vjeç, banues në fshatin Barbullush, K. Y. (Sh.), 34 vjeç, banues në Kamzë, dhe V. P., 38 vjeç, banues në Kurbin (shtetas me precedentë të shumtë penalë për krime kundër personit, brenda dhe jashtë shtetit).

Menjëherë pas marrjes së informacionit se në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë” dy shtetas me skafandra, të cilët lëviznin me motomjet, kryenin lëvizje të dyshimta, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe shkuan në zonën e sinjalizuar.

Si rezultat i patrullimeve komplekse dhe krehjes së zonave ku dyshohej se kishte lëvizur motomjeti, në Lezhë dhe në drejtim të Shkodrës, në segmentin rrugor “Gjadër-Barbullush”, u ndalua automjeti tip “Volksëagen”, me të cilin po lëviznin shtetasit V. P. dhe K. Y. (Sh.), të konstatuar më parë duke lëvizur me motomjet në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”. Këta shtetas shoqëroheshin në automjet nga bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E.T., drejtuesi i automjetit me qëllim largimin nga zona ku kishin planifikuar vrasjen.

Gjatë kontrollit fizik, të motomjetit dhe në banesën e shtetasit E. T. dhe përreth saj, u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta), me krehra dhe fishekë, municion luftarak, motomjeti i dyshuar i përdorur për rastin, çelësat e të cilit iu gjetën shtetasit 34-vjeçar.

Nga verifikimet rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Të Ngjashme