Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vazhduar takimet në Bruksel me përfaqësues të Parlamentit Evropian, ku në fokus ishte rruga evropiane e Kosovës dhe mbështetja për procesin e integrimit.
Haxhiu bëri të ditur se fillimisht u takua me eurodeputetët Lukas Mandl dhe Matjaz Nemec, ndërsa më pas zhvilloi takime edhe me Thijs Reuten dhe Adnan Dibrani.
Gjatë këtyre takimeve, ajo theksoi se Kosova nuk kërkon trajtim të veçantë, por një proces të drejtë dhe vlerësim të bazuar në merita, me të njëjtat kritere që zbatohen për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ajo i falënderoi eurodeputetët për angazhimin e vazhdueshëm në mbështetje të Kosovës, duke përmendur edhe reagimin e tyre lidhur me këngën e interpretuar në hapjen e Forumit të Zgjerimit, për të cilën Mandl kishte parashtruar edhe një pyetje parlamentare.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe reformave. Haxhiu tha se me eurodeputetët bisedoi për ligjet që Kuvendi po i shqyrton në kuadër të Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes, si dhe për rëndësinë e miratimit të tyre në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Ndër të tjera, kryetarja e Kuvendit kërkoi mbështetjen e tyre që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të shqyrtohet në Këshillin e Bashkimit Evropian.
Ajo kërkoi gjithashtu angazhimin e eurodeputetëve pranë pesë shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Sipas Haxhiut, eurodeputeti Thijs Reuten, ish-raportues i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave, e njoftoi për përpjekjet që kishte bërë edhe në këtë drejtim.
