Shoqata e Shkencëtarëve të Kosovës ka kërkuar hetim dhe largimin e personave përgjegjës për interpretimin e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Përmes një letre zyrtare drejtuar Komisionit Evropian, përkatësisht presidentes së këtij institucioni dhe komisioneres për Zgjerim, Shoqata ka kërkuar sqarime dhe llogaridhënie për interpretimin instrumental të këngës gjatë koncertit hapës të forumit, më 15 nëntor, transmeton KosovaPress.
Në shkresën me numër protokolli 08-11/2026, Shoqata kundërshton përzgjedhjen e kësaj kënge, duke theksuar se teksti i saj përmban pretendime territoriale serbe ndaj Kosovës.
Sipas raportimeve publike dhe dëshmive të pjesëmarrësve, melodia është interpretuar pikërisht në pjesën e programit që lidhej me Kosovën.
Shoqata vlerëson se interpretimi instrumental, edhe pse pa tekst, nuk e përjashton domethënien politike dhe historike të këngës.
“Kosova nuk mund të trajtohet si e padukshme në diskutimet për të ardhmen evropiane, ndërsa paraqitet përmes simbolikës që mohon shtetësinë dhe identitetin e saj”, thuhet në letër.
Në reagim, Shoqata e konsideron të pamjaftueshme shprehjen e keqardhjes dhe arsyetimin se kënga ishte përzgjedhur nga grupi muzikor.
Sipas saj, Komisioni Evropian duhet të japë shpjegime të hollësishme për mënyrën se si është përgatitur, kontrolluar dhe mbikëqyrur programi i aktivitetit.
Për këtë arsye, Shoqata kërkon zhvillimin e një hetimi të plotë administrativ, transparent dhe të dokumentuar, për të përcaktuar përgjegjësinë individuale dhe institucionale.
Ajo kërkon gjithashtu largimin nga pozitat zyrtare të personave për të cilët konstatohet përgjegjësia për veprimet ose mosveprimet që mundësuan këtë incident.
Në mesin e kërkesave janë edhe publikimi i dokumenteve për përzgjedhjen dhe miratimin e repertorit muzikor, kërkimfalja publike ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ndërmarrja e masave konkrete për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme.
Shoqata thekson se pretendimet territoriale dhe projektet nacionaliste në rajon kanë shkaktuar pasoja të përgjakshme, ndaj kërkon nga institucionet evropiane ndërgjegjësim më të madh për pasojat e tolerimit të narrativave të tilla.
Përmes kësaj shkrese, Shoqata e Shkencëtarëve të Kosovës i ka kërkuar Komisionit Evropian përgjigje të arsyetuar për secilën kërkesë brenda 15 ditëve pune nga pranimi i letrës.
“Orientimi ynë evropian e përforcon kërkesën tonë për llogaridhënie. Respekti për institucionet evropiane duhet të jetë i ndërsjellë me respektin e tyre për Kosovën dhe qytetarët e saj”, thuhet në përfundim të reagimit.
Shoqata ka paralajmëruar se do ta ndjekë çështjen përmes komunikimit institucional dhe informimit publik.
