Këshilli Gjyqësor i Kosovës në tri mbledhjet e fundit ka dështuar të zgjedh kryesuesin e ri. Kjo për shkak të mungesës së kuorumit, për çka janë ngritur shqetësimin për cenim të pavarësisë së këtij institucioni, madje ka edhe dyshime për ndikime politike.
Monitoruesit e sistemit të drejtësisë deklarojnë se zhvillimet brenda KGJK-së po përkojnë me procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj nga Kuvendi i Kosovës.
Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka deklaruar se në vitet e fundit ky institucion nuk është përballur me dështim të mbledhjeve në mungesë kuorumi, gjë që po ndodh në tri mbledhjet e fundit kur në rend dite është zgjedhjes e kryesuesit të ri.
Sipas Kabashit, dështimi i mbledhjeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në kohën kur po përzgjidhen anëtarë të rinj nga Kuvendi, mund të krijojë përshtypjen se po pritet ardhja e tyre për të ndikuar në zgjedhjen e kryesuesit.
Ai shtoi se kjo mund të shihet si ndikim politik.
Kabashi: Dështimi i mbledhjeve në KGjK rrezikon ndikim politik
“Duhet të kemi parasysh që është duke u zhvilluar procesi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor prej tre sosh nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, proces i cili tashmë është në fazën finale të tij. Dhe dështimi i mbledhjeve në kohën kur në të njëjtën kohë po zhvillohet edhe procesi për përzgjedhjen e anëtarëve nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, mund të çojë në kuptimin e asaj që po priten këta anëtarë që të vijnë nga kuvendi dhe ta zgjidhin, do të thotë, kryesuesin e ri. Të ndikojnë në vendimmarrjen e zgjedhjes së kryesuesit të ri…. Duhet të kemi parasysh që koordinimi në pritje me anëtarët që vijnë nga kuvendi, ku kuvendi është një trup tërësisht politike, mund të kuptohet si ndikim politik, dhe mund të kuptohet si lidhje me politikën. Për këtë arsye, Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të vazhdojë progresin që ka pasur viteve të fundit dhe të mos e rrënojë këtë besim dhe këtë progres për dy-tri mbledhje, tre-katër mbledhje për ditë, për një ditë të caktuar dhe të rrënohet gjithë ajo punë që ka mund me u bë dhe është bërë viteve të fundit. dështimi i këtyre mbledhjeve duhet me pas parasysh që cenon besimin e publikut në këtë institucion”, deklaroi Kabashi.
Kabashi deklaron se KGjK tashmë me mos zgjedhjen e udhëheqësit të ri të tij, ka shkelur rregulloren e punës, e cila parasheh që 30 ditë prej ditës së përefundimit të mandatit të kryesuesit aktual duhet të zgjidhet i riu.
Kabashi: KGjK shkeli rregulloren e punës
“Rregullorja e punës për Këshillin Gjyqësor të Kosovës e përcakton qartë. 30 ditë prej ditës së përfundimit të mandatit të të kryesuesit aktual, zgjidhet kryesuesi i ri. Kjo rregullore tashmë është shkelur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Dhe sinqerisht, viteve të fundit nuk më ka rënë me raportuar si monitorues që janë shkelur rregulloret e Këshillit. Dhe tash, kohët e fundit, unë po raportoj që po shkelen këto rregullore dhe është shkelur rregullorja e vetë Këshillit që e ka miratuar vetë Këshilli me zgjedhë atë kryesues titullar të institucionit. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, thashë edhe një herë, është kategori kushtetuese. Anëtarët kanë përgjegjësi kushtetuese. Pra, burojnë prej përgjegjësisë kushtetuese.
Edhe për Burbuqe Kastrati nga Lëvizja Fol, situata aktuale në Këshillin Gjyqësor është shqetësuese.
Ajo beson që vendimmarrja brenda këshillit duhet të jetë e pavarur dhe e pa ndikuar politikisht.
Kastrati: Vendimmarrja të jetë e pavarur dhe pa tentime politike
“Vendimmarrja brenda këshillit të jetë jashtëzakonisht e pavarur dhe mos të ketë pra as tentime politike për vendimmarrjen e aq më pak për përzgjedhjen e kryesuesit. Kjo do të ishte jashtëzakonisht e dëmshme për demokracinë brenda institucionit, për vendimmarrjen brenda institucionit. Pra po flasim për Këshillin Gjyqësor i cili është institucioni më i rëndësishëm në sistemin gjyqësor, ku administrohet tërë gjyqësori, kur merren vendimet për të gjithë, pra për të gjithë sistemin gjyqësor”, u shpreh Kastrati.
Sa i përket mungesës së anëtarëve të KGjK-së në tri mbledhjet e fundit nga monitoruesit e sistemit, po konsiderohet sinkronizim i veprimeve me qëllim të pengimit të zgjedhjes së kryesuesit të ri të Këshillit.
Duke ironizuar monitoruesi i sistemit të drejtësisë, Flamur Kabashi thotë se mos ka ndonjë pandemi brenda Këshillit meqë ka mungesa të shpeshta të anëtarëve të KGjK-së në mbledhje.
Kabashi ironizon për mungesën e anëtarëve të KGJK: Ndoshta ka ndonjë pandemi që po mungojnë
“Është i treti anëtarë që po mungon për arsye shëndetësore. Dhe tash të jepet përshtypja mos ka ndonjë pandemi. Mund të ketë ndoshta ndonjë pandemi që po mungojnë kështu radhazi. Mirëpo, unë sa jam në dijeni, si qytetar i Kosovës, unë se di që ka pandemi shëndetësore në Kosovë prej qytetarëve që mund të preken edhe që mund të mungojnë këta anëtarë. Për këtë arsye, kjo mund të çojë ndoshta edhe në një kuptim të asaj që ka ndoshta një sinkronizim mes tyre. Mirëpo, po flas asaj, ata kanë dhënë arsyet e veta”, deklaroi ai.
Të dyshimtë mungesën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor në mbledhjet ku në rend dite është zgjedhja e kryesuesit të ri, e sheh edhe monitoruesja nga Lëvizja Fol.
Kastrati: Mungesa e anëtarëve e dyshimtë
“Andaj edhe këto mungesat e njëpasnjëshme të anëtarëve të cilët kanë qenë edhe nuk është që për arsye shëndetësore siç e kanë shprehur është e rëndësishme të jenë edhe transparente nëse ka dëshmi…Andaj sigurisht që kjo e rrit edhe dyshimet edhe bën diskutohet edhe brenda shoqërisë, edhe monitoruesve. Për neve ka qenë jashtëzakonisht shqetësuese si ka ndodhur si proces i njëpasnjëshëm pra, mungesa e anëtarëve të caktuar në mbledhje. Andaj dhe është shumë e rëndësishme që vendimmarrja në këshill të jetë jashtëzakonisht e pavarur, secili anëtar ta dijë përgjegjësinë e tij edhe brenda të gjitha, domethënë kornizave ligjore që secili anëtar aty i ka, edhe vendimmarrja në të cilën ata e bëjnë në raport me votat e tyre për kryesuesin, të jetë jashtëzakonisht e pavarur edhe pa tendenca për sidomos ato të jashtme politike në Këshill”, deklaroi ai.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 12 mars shpalli konkurs për kryesues të ri, i cili ishte i hapur deri më 26 mars 2026.
Në secilën mbledhje të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në rend, përveç pikës për zgjedhjen e kryesuesit të ri, ka qenë edhe shpalljen e konkursit për kryetar të Gjykatës Administrative.
Këshilli aktualisht ka 9 anëtarë, ndërsa kryesues i Këshillit Gjyqësor deri në fillim të muajit mars ishte Albert Zogaj, i cili qëndroi në këtë pozitë për një mandat e gjysmë.
