Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Komentohet deklarata e Ramës për Kosovën në lidhje me vizitën e Blinken/ Analistët zbërthejnë mesazhin – japin këto pikëpamje!

 
   

Ditë më parë është paralajmëruar që Shqipëria do të jetë nikoqire e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka uruar mirëseardhje Sekretarit Blinken, i cili do të vizitojë Shqipërinë javën e ardhshme.

Rama tha se Blinken do të gjejë në Shqipëri një vend aleat të angazhuar për paqen, stabilitetin demokratik dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në këtë rajon.

Në këtë drejtim, Rama shkroi se Shqipëria mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Shqipëria i ka shtrirë dorën e miqësisë të gjithë fqinjëve të rajonit dhe mbështet pa asnjë rezervë përpjekjet e Bashkimit Evropian e të Shteteve të Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si një çelës i padiskutueshëm strategjik për sigurinë, zhvillimin dhe mirëqenien e bashkësisë së popujve tanë në zemër të Evropës, ku e shkuara e mbushur me tragjedi, konflikte e prapambetje, duhet t’ia lerë njëherë e mirë vendin të ardhmes së mbushur me mundësi, partneritete e progres”.

Mirëpo a është kjo deklaratë një ‘fasadë’ e Ramës duke dituar miqësinë e ngushtë që ai mbanë me Vuçiqin?

Elezaj: Çdo deklaratë e Ramës ndaj Kosovës është fasadë para opinionit

 Image
 Rexhep Elezaj 
 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Rexhep Elezaj.

Ai thotë se vizita e Blinken në Shqipëri ka një peshë të madhe politike për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët.

Sipas tij, vizita e Blinken vjen në kohën kur situata e sigurisë në Ballkanin perëndimor është mjaft e brishtë.

Nuk ka dyshim, se vizita e Sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken në Shqipëri javën e ardhshme, ka një peshë të madhe politike për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, e cila vjen në kohën kur situata e sigurisë në Ballkanin perëndimor është mjaft e brishtë, kryesisht për shkak të pretendimeve hegjemoniste të Rusisë ndaj këtij rajoni, ndikim të cilin është duke tentuar që ta shtrijë në këtë pjesë strategjike të Evropës përmes Serbisë, e cila, kjo e fundit, çdo ditë vazhdon ta kërcënojë Kosovën me luftë, si dhe përmes Republika Srpska (RS) në Bosnje, ku M. Dodiku çdo ditë kërcënon me shkëputjen e saj nga Bosnja për t’ia bashkuar atë Serbisë”, thotë analisti.

Elezaj shton më tej se Rama ka 10 vite miqësi me Vuçiqin dhe se anshmërinë për të e ka vërtetuar disa herë, edhe kur në pyetje ka qenë Kosova.

Në krejt ruletin rus ndaj Ballkanit perëndimor rolin më destruktiv është duke e luajtur regjimi fashist i Beogradit zyrtar me në krye çetnikun A. Vuçiq, i cili me rrenat dhe joshjet e tij ka arritur që ta bën në masë të madhe për vete, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, qysh para 10 viteve, i cili për fatin e keq të Kosovës, ka treguar një afërsi dhe miqësi të veçantë me këlyshin e kriminelit S. Millosheviq, “vëllain” e tij serb, A. Vuçiqin. Qoftë kjo për interesa personale, qoftë për shkaqe ekonomike dhe turistike, duke i futur kështu thikë pas shpine interesave të Kosovës dhe pavarësisë së saj.

Këtë që e them, më së mirë e dëshmon pajtimi i plotë i E. Ramës me siamezin e tij, A. Vuçiqin, për ndarjen e Kosovës si dhe pranimi i nismës serbe në Novi Sad për formimin e “Ballkanit të hapur”, nismë kjo e Serbisë e cila kishte qëllime të qarta për formimin e një Jugosllavie të re, alias të “Botës serbe” në tërë Ballkanin perëndimorë”, shpjegon ai.

Deklaratat e Ramës pro Kosovës janë fasadë për opinionin publik

Nga ana tjetër, analisti thotë që nga koha që Rama është pushtet ka pasur një bashkëpunim me Serbinë dhe se çdo deklaratë e tij pro Kosovës nuk duhet të merret seriozisht.

Pra, qëkur Edi Rama e ka marrë pushtetin në Shqipëri (2013), në agjendën e tij politike vend kyç ka pasur bashkëpunimi me Serbinë, kinse për lëvizje të lirë të mallrave dhe kapitalit mes vendeve anëtare, duke lanë anash çdo interes kombëtar, politik dhe ekonomik të Kosovës. Dhe, këtë injorim të tij ndaj rrumbullakimit të pavarësisë dhe shtet-ndërtimit të Kosovës, e dëshmojnë qartë qëndrimet shumë pasive si dhe mos lobimi fare i Tiranës zyrtare për interesa të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Për shembull, Shqipëria gjatë regjimit 12 vjeçar të E. Ramës, Kosovës nuk ia ka sjellë asnjë njohje të re të pavarësisë së Kosovës, nuk e ka zbatuar fare marrëveshjen për ndërtimin dhe funksionimin e përbashkët të ambasadave tona në botën e jashtme, veçse me qëndrimet e tij kritike dhe qortuese ndaj Prishtinës zyrtare, i ka sjellë Kosovës dëme të mëdha në qarqet e vendosjeve në Perëndim, duke shikuar vetëm interesat e regjimit të tij despotik dhe pro-serb.

Thënë shkurt dhe qartë, çdo deklaratë e E. Ramës ndaj Kosovës, çdo veprim i tij politik dhe diplomatik, çdo “pro-kosovarizëm” i tij, çdo “dashuri” e tij ndaj Kosovës dhe kosovarëve, çdo sjellje dhe veprim i tij politik, kinse pro-Kosovës, janë veprime puro anti-kosovare si dhe fasadë para opinionit, dhe këtë më së miri e ilustron deklarata e tij famoze, se “Veriu i Kosovës është tokë e askujt”, gjë të cilën nuk do e ka thënë as miku i tij, neofashisti, A. Vuçiq”, foli Elezaj për “Bota sot”.

Mehmeti: Rama asnjëherë s’ka bërë përpjekje të sinqerta për të ndihmuar Kosovën në raport me Serbinë

 Image
 Faton Mehmeti 
 

Ndërsa, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha se nuk është hera e parë që Rama bën deklarata të tilla për Kosovën, mirëpo asnjëherë të sinqerta.

Nuk është hera e parë dhe as e fundit që Edi Rama bën deklarata të tilla fasadë, në këtë kuptim edhe kjo në raport me sekretarin Blinken s’ka si të jetë ndryshe. Edi Rama asnjëherë s’ka bërë përpjekje të sinqerta për të ndihmuar Kosovën në raport me Serbinë, vetëm sa ka mbështetur Serbinë duke drejtuar kritika të ashpra ndaj Kosovës”, tha ai.

Në fund, ai shtoi që vizita e Blinken vë në pah shumë situata e ndër tjera edhe si e quan analisti hipokrizinë e Ramës për dialogun Kosovë – Serbi.

Vizita e Blinken tregon seriozitetin dhe vendosmërinë e SHBA që marrëveshja Kosovë-Serbi të arrihet sa më parë, po ashtu tregon dhe njëherë hipokrizinë e Edi Ramës ndaj këtij procesi që nga fillimi e deri tani”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.