Detaje të reja janë bërë publike nga kontrolli i befasishëm në paraburgimin e Bradasheshit, në sektorin ku mbahet Ergys Agasi.
Gazetarja Klodiana Lala tha se gjatë operacionit pati edhe një përplasje mes SPAK-ut dhe Policisë së Burgjeve lidhur me ambientet ku duhej të përqendroheshin kontrollet.
Sipas Lalës, Policia e Burgjeve kërkonte që verifikimet të kryheshin në qelinë e Agasit dhe në qeli të tjera, ndërsa SPAK këmbëngulte që kontrolli të shtrihej në kuzhinë dhe në ambientet e përbashkëta. Dyshohet se hetuesit kishin informacione që i orientonin drejt këtyre hapësirave.
“Po të shikosh, ky kontroll ishte kontroll blic, një kontroll mjaft interesant. Madje, edhe pse nuk u pranua publikisht, pati edhe një lloj fërkimi mes SPAK-ut dhe Policisë së Burgjeve. Policia e Burgjeve insistonte të shkonte të kontrollohej qelia e Agasit dhe qeli të tjera, se aty ka edhe një sërë personash problematikë të tjerë. Në fakt SPAK insistonte të shkonte tek kuzhina e burgut, tek ambientet e përbashkëta, sepse me sa duket kishte detaje interesante” tha Lala ndër të tjera.
Agasi u arrestua më 26 gusht në Durrës, pas disa muajsh në kërkim, në kuadër të hetimeve të SPAK që lidhen me dosjen e AKSHI-t. Ndaj tij janë ngritur disa akuza, ndër të tjera për shkelje të barazisë në tendera, konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
