Lajme

Kryeministri në detyrë Kurti mori pjesë në tryezën shkencore “Memorandumi i SANU: Roli i diskursit akademik serb në nxitjen e konflikteve dhe dhunës në ish-Jugosllavi”

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën shkencore “Memorandumi i SANU: Roli i diskursit akademik serb në nxitjen e konflikteve dhe dhunës në ish-Jugosllavi”, organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”.

Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se dyzet vjet pas publikimit të Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, vazhdon të mbetet me rëndësi studimi i rrethanave në të cilat u hartua, ideve të cilat i artikuloi dhe ndikimit që pati në diskursin politik e shoqërorë të Serbisë në vitet që pasuan.

“Përvoja e Kosovës e bën këtë çështje veçanërisht konkrete. Në fund të viteve tetëdhjetë dhe gjatë viteve nëntëdhjetë, narrativa mbi rrezikimin e serbëve në Kosovë u bë pjesë e rëndësishme e mobilizimit politik në Serbi. Pasuan suprimimi i autonomisë së Kosovës, largimet masive të shqiptarëve nga institucionet publike dhe ndërmarrjet ekonomike, diskriminimi sistematik, represioni shtetëror dhe, më vonë, lufta. Rruga nga ideologjia te dhuna është komplekse. Megjithatë, historia e ish-Jugosllavisë tregon se prodhimi i narrativave, ndërtimi i diskurseve, legjitimimi i tyre nga autoritete publike e akademike dhe përvetësimi i tyre nga pushteti mund të krijojnë klimën politike dhe morale në të cilën diskriminimi normalizohet dhe dhuna bëhet e pranueshme si mjet politik”, tha ai.

Ai theksoi se shoqëritë demokratike kanë nevojë për institucione të cilat e studiojnë të kaluarën me profesionalizëm dhe për intelektualë të cilët e ruajnë pavarësinë e tyre, sikurse kanë nevojë për arkiva të hapura, dokumente të ruajtura dhe debat shkencor ku argumenti mbështetet në fakte.

Duke marrë shkas rastin e fundit me Ratko Mladiq, kryeministri Kurti foli edhe për glorifikimin që Serbia po vazhdon t’i bëj kriminelëve të luftës, duke theksuar se kur një shoqëri nderon publikisht një të dënuar për gjenocid, është e vështirë të flitet për përballje me të kaluarën, pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime.

“Mbase këso tryezash është edhe më shumë e rëndësishme që të mbahen pikërisht në Serbi. Por, ekziston një paradoks i madh te fqinji ynë verior. Trupi i pajetë i kriminelit Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, po pritet me nderime të larta shtetërore, nga ish-ministri i Millosheviqit, tash president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nga protagonisti i gjuetisë me njerëz në Sarajevën e rrethuar, në Bosnje, tash i njohur si “Sarajevo Safari”, Aleksandar Vuçiq, me nderime të larta shtetërore pret kryerësin e krimit në Bosnjë, Ratko Mladiq, tash i ndjerë pasi që vdiq në burg në Hagë. Nga ai që përveç tjerash tha se për një serb të vrarë do të vriten 100 muslimanë boshnjakë, vetëm një javë pas Masakrës së Srebrenicës”, tha kryeministri.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:

I nderuar z. Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës,

I nderuari z. Arben Hajrullahu, rektor i Universitetit të Prishtinës,

E nderuara znj. Teuta Shala-Peli, drejtore e Institutit të Historisë “Ali Hadri”,

E nderuara znj. Mrika Limani, bashkëpunëtore shkencore në Institutin e Historisë  “Ali Hadri”,

Të nderuar profesorë, Sylë Uksini dhe Arbër Hadri,

I nderuari z. Edmond Hajrizi, themelues i UBT-së,

Të nderuar përfaqësues të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë dhe të Institutit të Historisë “Ali Hadri”,

Të nderuar akademikë, profesorë dhe studiues,

Të nderuar të pranishëm,

I nderuari profesor Afrim Krasniqi, profesor Muhamedin Kullashi,

Zonja dhe zotërinj,

Dyzet vjet pas publikimit të Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, vazhdon të mbetet me rëndësi studimi i rrethanave në të cilat u hartua, ideve të cilat i artikuloi dhe ndikimit që pati në diskursin politik e shoqërorë të Serbisë në vitet që pasuan. Memorandumi u shfaq në një periudhë krize të thellë politike, ekonomike dhe shoqërore të ish-Jugosllavisë. Brenda kësaj krize, ai artikuloi një interpretim të pozitës së serbëve në ish-federatë, të mbështetur fuqishëm mbi narrativën e viktimizimit. Kosova zinte vend të posaçëm në këtë interpretim dhe me shpejtësi, atëbotë, ky diskurs u përvetësua nga politika dhe u bë pjesë e gjuhës përmes së cilës u arsyetuan ndërhyrjet gjithnjë e më të mëdha të shtetit serb në rendin kushtetues e juridik të ish-Jugosllavisë.

Këtu qëndron edhe arsyeja pse Memorandumi vazhdon të kërkojë vëmendjen e historianëve, politologëve dhe studiuesve. Rëndësia e tij lidhet me raportin ndërmjet dijes shkencore e sociale, autoritetit intelektual dhe pushtetit politik. Idetë e prodhuara ose të legjitimuara brenda institucioneve me autoritet shkencor fitojnë peshë të veçantë kur hyjnë në gjuhën e politikës dhe përdoren për të përcaktuar se kush është viktimë, kush është kërcënim dhe kujt i takon e drejta historike mbi territorin, shtetin apo institucionet.

Përvoja e Kosovës e bën këtë çështje veçanërisht konkrete. Në fund të viteve tetëdhjetë dhe gjatë viteve nëntëdhjetë, narrativa mbi rrezikimin e serbëve në Kosovë u bë pjesë e rëndësishme e mobilizimit politik në Serbi. Pasuan suprimimi i autonomisë së Kosovës, largimet masive të shqiptarëve nga institucionet publike dhe ndërmarrjet ekonomike, diskriminimi sistematik, represioni shtetëror dhe, më vonë, lufta. Rruga nga ideologjia te dhuna është komplekse. Megjithatë, historia e ish-Jugosllavisë tregon se prodhimi i narrativave, ndërtimi i diskurseve, legjitimimi i tyre nga autoritete publike e akademike dhe përvetësimi i tyre nga pushteti mund të krijojnë klimën politike dhe morale në të cilën diskriminimi normalizohet dhe dhuna bëhet e pranueshme si mjet politik.

Këtu shtrohet edhe çështja e përgjegjësisë së intelektualit publik dhe të institucionit akademik. Autoriteti akademik bart përgjegjësi publike. Akademitë, universitetet dhe institutet shkencore gëzojnë besimin e shoqërisë sepse prej tyre priten mendimi e kërkimi kritik, verifikimi i fakteve dhe pavarësia nga interesat e pushtetit. Kur ky autoritet përdoret për t’u dhënë karakter shkencor paragjykimeve etnike ose pretendimeve politike, pasojat mund të shkojnë shumë më larg se debati akademik.

Për këtë arsye është me rëndësi që Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe i Arteve të Serbisë, që njihet me akronimin SANU, dhe roli i elitave intelektuale serbe të asaj kohe të vazhdojnë të studiohen përmes dokumenteve dhe burimeve kredibile, me metodologji shkencore. Përgjegjësia historike kërkon saktësi. Kërkon të identifikohen idetë, politikat, institucionet dhe individët që i formuluan, i promovuan dhe i zbatuan ato. Kosova ka arsye të veçanta për ta bërë këtë punë.

Pasojat e politikave të viteve nëntëdhjetë janë pjesë e kujtesës sonë të afërt e përvojave tona jetësore. Ato gjenden në dokumente dhe arkiva, në dëshmitë e të mbijetuarve, në familjet e viktimave, te personat ende të zhdukur dhe në shumë prej çështjeve me të cilat institucionet tona vazhdojnë të merren edhe sot e kësaj dite. Dokumentimi i krimeve, ruajtja e dëshmive dhe studimi i proceseve që çuan drejt tyre janë përgjegjësi edhe shtetërore edhe shkencore. Kujtesa e mbështetur në fakte i shërben së vërtetës historike, drejtësisë institucionale dhe brezave të rinj të cilët nuk e kanë përjetuar atë periudhë.

Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” kanë rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Përmes dokumentimit, hulumtimit dhe debatit akademik, institucionet tona krijojnë bazën që historia e Kosovës të trajtohet përmes burimeve dhe dëshmive dhe që njohuritë e prodhuara të jenë të qasshme për studiuesit, institucionet dhe publikun.

Koncepti i kësaj tryeze parashikon dokumentimin dhe analizimin e rolit të intelektualëve dhe të akademisë në nxitjen e luftërave, trajtimin kritik të narrativave historike dhe forcimin e kujtesës kolektive. Kjo punë ka vlerë edhe për të ardhmen, përmes përfshirjes së kujtesës në politikat publike dhe në edukim, si dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar në funksion të paqes, të sigurisë dhe të prosperitetit.

Dyzet vjet janë distancë e mjaftueshme për të parë shumëçka më qartë, por pasojat vazhdojnë të jenë të pranishme. Në Kosovë, ato mbeten pjesë e jetës së njerëzve dhe e punës së institucioneve. Diskutimi i sotëm, për këtë arsye, ka vlerë të posaçme. Studiuesit e mbledhur këtu do ta trajtojnë Memorandumin nga këndvështrime të ndryshme, do ta vendosin në kontekstin historik të kohës dhe do të shqyrtojnë lidhjet ndërmjet diskursit akademik, nacionalizmit hegjemonik dhe politikës agresore që çoi në luftërat e viteve nëntëdhjeta në ish-Jugosllavi.

Shoqëritë demokratike kanë nevojë për institucione të cilat e studiojnë të kaluarën me profesionalizëm dhe për intelektualë të cilët e ruajnë pavarësinë e tyre. Kanë nevojë për arkiva të hapura, dokumente të ruajtura dhe debat shkencor ku argumenti mbështetet në fakte.

Të nderur të pranishëm,

Mbase këso tryezash është edhe më shumë e rëndësishme që të mbahen pikërisht në Serbi. Por, ekziston një paradoks i madh te fqinji ynë verior. Trupi i pajetë i kriminelit Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, po pritet me nderime të larta shtetërore nga ish-ministri i Millosheviqit, tash president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Nga protagonisti i gjuetisë me njerëz në Sarajevën e rrethuar në Bosnje, tash i njohur si “Sarajevo Safari”. Aleksandar Vuçiq me nderime të larta shtetërore pret kryerësin e krimit në Bosnjë, Ratko Mladiq, tash i ndjerë pasi që vdiq në burg në Hagë. Nga ai që përveç tjerash tha se për një serb të vrarë do të vriten 100 muslimanë boshnjakë, vetëm një javë pas Masakrës së Srebrenicës.

Ky është edhe një shembull i qartë i mënyrës se si në Serbi glorifikohet figura e njërit prej përgjegjësve kryesorë për krimet më të rënda të luftës në Bosnje. Kur një shoqëri nderon publikisht një të dënuar për gjenocid, është e vështirë të flitet për përballje me të kaluarën, pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime.

Për Kosovën, kjo ndërlidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si do t’ua përcjellim brezave të ardhshëm historinë. Sa më e plotë të jetë puna jonë dokumentuese dhe shkencore sot, aq më pak hapësirë do të ketë nesër për mohimin, shtrembërimin dhe relativizimin e asaj që ka ndodhur.

Në Evropë, nuk besoj të ketë një rast të dytë, gjegjësisht nuk ka një popull tjetër si shqiptarët, për të cilin janë hartuar kaq shumë plane e projekte, madje të shkruara në letër, për spastrimin etnik të tij, për dëbimin dhe deportimin e tij nga trevat autoktone ku ata janë formuar dhe kanë jetuar historikisht. Aq më tepër që këto projekte janë hartuar nga struktura dhe institucione shtetërore si dhe nga zyrtarë shtetërorë të Serbisë, që nga mesi i shekullit XIX kur Serbia ishte ende në fazat e hershme të saj të shtetndërtimit, gjatë periudhës së Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene më vonë Mbretërisë së Jugosllavisë, si dhe gjatë periudhës së Federatës së Jugosllavisë, kur Serbia ishte republika dominuese. E megjithëkëto, ja ku jemi. Ndonëse segmente të tëra të këtyre projekteve janë realizuar herë më shumë e herë më pak, nga dëbimet e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, nga luftërat ballkanike, nga dëbimet në Turqi, e deri te spastrimi etnik dhe gjenocidi i vitit 1999, ne kemi arritur të mbijetojmë dhe ta ndërtojmë shtëpinë tonë të përbashkët politike me zhvillim të gjithmbarshëm, shtetin e pavarur: Republikën e Kosovës.

Në këtë dyzetvjetor të Memorandumit të SANU-së, kjo është përgjegjësia që na takon: të dokumentojmë me saktësi, të studiojmë me seriozitet, të kujtojmë me dinjitet dhe ta mbrojmë të vërtetën me fakte.

Ju faleminderit për organizimin, ftesën dhe vëmendjen!

Image

Të Ngjashme