Lajme

Kurti: Mbi 37 milionë për mbrojtjen e të akuzuarve padrejtësisht në Hagë

Kryeministri Albin Kurti tha se nuk kanë hezituar që të ngrenë zërin kundër vendimeve të padrejta në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Këto deklarime i bëri ai pas pyetjes së deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi, lidhur me këto shqetësime për shkelje të të drejtave të njeriut nga Specialja.

Kurti: Nuk kemi hezituar të ngremë zërin kundër vendimeve të padrejta ndaj krerëve të UÇK-së

“Qeveria e Republikës së Kosovës e trajton me seriozitet të plotë çdo shqetësim që lidhet me respektimin e drejtave të njeriut, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në këtë drejtim komunikimi institucional me partnerët ndërkombëtarë është i vazhdueshëm dhe i strukturuar duke u zhvilluar mënyrë të përgjegjshme dhe në përputhje me natyrën e ndjeshme të proceseve gjyqësore. Po ashtu nuk kemi hezituar të ngremë zërin kundër vendimeve të padrejta ndaj krerëve të UÇK-së, siç ishin për shembull, mos lejimi i ish-presidentit Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, si dhe pranimi i dokumenteve zyrtare të shtetit gjenocidal si prova në procesin gjyqësor atje”, ka thënë ai.

Po ashtu, Kurti tha se qeveria nuk mund të ndërhyjë në procedura gjyqësore.

Kurti: Qeveria nuk ndërhyn në procedura gjyqësore

“Qeveria nuk ndërhyn në procedura gjyqësore dhe as nuk ka qasje të drejtpërdrejt në informacionet operative të proceseve në zhvillim. Megjithatë, kjo nuk përjashton përgjegjësinë tonë për të ngritur çështje të karakterit parimor dhe për të kërkuar standarde të larta të transparencës dhe të respektimit të të drejtave themelore. Në këtë kuadër, në komunikimin zyrtar drejtuar zonjës Ekaterina Trendafilova, unë kam theksuar se nga perspektiva institucionale e sigurisë së Republikës së Kosovës nuk ekzistojnë rrethana që do të pengonin qëndrimin e të akuzuarve në territorin e vendit tonë gjatë zhvillimit të procedurave, duke garantuar kapacitetin e plotë të institucioneve për të siguruar mbarëvajtjen dhe integritetin e kapaciteteve”, shtoi Kurti.

Më pas, deputetja Musliu Shoshi i tha kryeministrit Kurti se “nuk mjaftojnë reagimet në rrjete sociale për çështje kaq të rëndësishme për historinë tonë”.

Kurti tha se nuk janë kursyer për t’i mbrojtur krerët e UÇK-së.

Kurti: Mbi 37 milionë për mbrojtjen e të akuzuarve padrejtësisht në Hagë

“Gjatë këtyre pesë viteve e gjysmë gjithsejtë janë ndarë nga Republika e Kosovës mbi 37 milionë për mbrojtjen e të akuzuarve padrejtësisht në Hagë. Pra, nuk jemi kursyer për t’i mbrojtur me avokatët që janë përzgjedhur prej vetë atyre…Kontributi më i madh që unë si kryeministër e kam dhënë për këtë çështje është kur si deputet i Republikës nuk e kam votuar ndryshimin kushtetues dhe as Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Më pastaj ka replikuar sërish deputetja Musliu-Shoshi, duke i thënë që “e ka fuqinë për ta zhbërë Specialen”.

Musliu-Shoshi: Pse nuk e merr iniciativën me zhbë atë gjykatë?

“Fillimisht i përmende fondet. Janë jashtëzakonisht të rëndësishme, mirëpo e ke pasur mundësinë me e rrit fondin mbrojtës, sepse e din dhe je njoftu në detaje që nuk është i mjaftueshëm. Krejt fuqinë e ke me zhbë atë gjykatë, pasi që je aq shumë kundër saj dhe e thatë që nuk e ke votuar. Pse nuk e merr iniciativën me zhbë atë gjykatë? E dimë të gjithë standardet të cilat janë duke i aplikuar. Kryeministër mbi të gjitha duke i mbrojtur çlirimtarët tanë, e ki parasysh që e mbron historinë dhe mbron të drejtën tonë për të qenë shtet, e mbron luftën tonë çlirimtare, e mbi të gjitha kryeministër mbron të ardhmen e këtij vendi”, tha ajo.

Të Ngjashme