Vendimi në rastin “Banjska” është marrë pa prova të vlefshme, pa përcaktim të përgjegjësisë individuale, në mënyrë “ekspres” dhe pa një proces gjyqësor transparent.
Kështu thuhet në një reagim të Listës Serbe, parti kjo, nënkryetari i së cilës ishte organizatori kryesor i sulmit terrorist në fshatin e Zvecanit, më 24 shtator 2023, pas aktgjykimit që shpalli gjykata në Prishtinë, në lidhje me këtë zhvillim.
Duke mos pranuar asnjë pikë faji për atë që ndodhi në Banjskë, ku subjekt politik i cili është i përfaqësuar edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, konsideron se dënimi i tre të akuzuarve serbe, dy nga të cilët me burgim të përjetshëm e tjetri me 30 vjet qëndrim prapa grilave, përbën shkelje të parimeve themelore të gjykimit të drejtë dhe dëmton më tej besimin e serbëve në institucionet në Kosovë.
“Lista Serbe shpreh dënimin më të ashpër ndaj aktgjykimit me të cilin pjesëmarrësit në ngjarjet e Banjskës janë dënuar me dy burgime të përjetshme dhe një dënim prej 30 vitesh, pa paraqitje të provave të vlefshme, pa përcaktim të përgjegjësisë individuale dhe pa arsyetim të qartë të veprimeve konkrete që kanë ndërmarrë të akuzuarit”, thuhet në reagimin e kësaj partie, transmeton portal Kossev.
Sipas LS-së, që refuzoi t’i quajë të dënuarit terroristë, ani u gjetën fajtorë për këtë akuzë, ky vendim nuk do ta vendosë drejtësinë, por “as nuk do t’i kënaqë të dëmtuarit’. Aktgjykimi, sipas reagimit përbën “hakmarrje”, e cila, siç thuhet, “rrezikon edhe më tej sigurinë dhe të drejtat e serbëve” dhe thellon edhe më shumë mosbesimin e tyre ndaj institucioneve në Kosovë.
Srpska pretendon se bëhet fjalë për shkelje të rëndë të parimeve themelore të drejtësisë dhe gjykimit të drejtë ndërsa thotë se është e papranueshme që vendime të kësaj peshe të merren “në mënyrë ekspres” dhe “pa prova bindëse”.
