Aktuale

Lodhje, të përziera e diarre, Malaria shfaqet në Shqipëri, çfarë është, si transmetohet dhe cilat janë simptomat?

Malaria shfaqet në Shqipëri, konfirmohet rasti i parë! Çfarë është sëmundja, si transmetohet dhe cilat janë simptomat?
Shqipëria regjistron një rast të konfirmuar me malarie, një sëmundje infektive që prej dekadash nuk është përhapur në mënyrë endemike në vend. Pacienti është një shtetas i huaj, i cili ndodhet i izoluar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku po merr edhe trajtimin përkatës. Ndërkohë, dyshohet edhe për një rast të dytë, i cili ende nuk është konfirmuar.

Rasti i raportuar më 18 nëntor ka rikthyer vëmendjen te kjo sëmundje, e cila mund të shkaktojë komplikacione serioze nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet në kohë.

Çfarë është malaria?Malaria është një sëmundje infektive që shkaktohet nga parazitë të gjinisë Plasmodium. Ajo prek kryesisht qelizat e mëlçisë dhe rruazat e kuqe të gjakut dhe është veçanërisht e përhapur në disa rajone tropikale, sidomos në Afrikën Sub-Sahariane.

Sëmundja nuk shkaktohet nga një virus apo bakter, por nga parazitët që hyjnë në organizmin e njeriut përmes pickimit të një mushkonje të infektuar.

Cilat janë simptomat e malaries?Shenjat e para zakonisht shfaqen 10-15 ditë pas pickimit nga mushkonja e infektuar, megjithëse periudha mund të ndryshojë në varësi të llojit të parazitit.

Simptomat më të zakonshme janë:

Temperaturë e lartë dhe ethe.
Të dridhura dhe djersitje të shumta.
Dhimbje koke.
Dhimbje muskujsh dhe lodhje e theksuar.
Të përziera dhe të vjella.
Në disa raste, diarre.

Të Ngjashme