Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Lubonja: Vizita e Blinken në Tiranë mund të sjellë sinjale kundër Kurtit

 
   

Analisti i Shqipërisë, Fatos Lubonja, deklaroi se vizita e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, të enjten në Tiranë, mund të sjellë ndonjë sinjal kundër kryeministrit, Albin Kurti.

Madje sipas tij, vizita për herë të parë e Blinken në Shqipëri, mund të ndërlidhet edhe me ndonjë mesazh për Kosovën e Serbinë, kështu duke kërkuar ndihmën e kryeministrit, Edi Rama.

“Blinken vjen këtu për të lëshuar një sinjal për Kosovën e Serbinë dhe kërkon ndihmën e një faktori i cili për fat të keq, s’ka luajtur rolin si do të duhej ta luante Edi Rama, por atyre u duhet në këtë situatë. Kam frikë se do të vijë ndonjë sinjal kundër Kurtit përmes Shqipërisë”, potencoi Lubonja.

Njëherit, analisti shqiptar vlerësoi që Shtetet e Bashkuara s’do të donin në asnjë mënyrë të krijohej edhe një krizë tjetër në Ballkanin Perëndimor, teksa shtoi se vizita e Blinken mund të ketë lidhshmëri me këtë çështje.

“Qëndrimin e ShBA-së duhet ta shohim në kontekst më të gjërë. Mbi të gjitha me luftën në Ukrainë, e cila në një farë mënyre e ka future ShBA-në në krizë, po ashtu lufta e Izraelit me Gazën, ky është një problem i madh për ShBA-në. Pra, ShBA-ja është në vështirësi, ka probleme të mëdha kredibiliteti, është futur në krizë. E në këtë situatë krize, Shtetet e Bashkuara s’do të donin kurrsessi të dilte edhe një krizë tjetër në Ballkanin Perëndimor. Kështu që, vizitën e Blinken e lidhi kryesisht më këtë”, shtoi tutje Lubonja.

Vizita njëditore e kryediplomatit amerikan në Tiranë do të përqendrohet në të ardhmen e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.

Nga Departamenti Amerikan i Shtetit, është bërë e ditur se Blinken do të ketë takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të mbajë edhe konferencë për media.