E ftuar në “S’e Luan Topi” ishte Trevisa Tufa, gazetare sporti, e cila foli për karrierën e saj, pasionin për profesionin dhe marrëdhënien që ka ndërtuar ndër vite me sportistët që interviston.
Duke folur për punën e saj, Tufa tregoi se që nga dita e parë kur ka nisur këtë profesion e deri më sot, nuk e ka humbur dëshirën për të shkuar në punë dhe për të bërë atë që ka zgjedhur si profesion. Ajo u shpreh se intervistat me sportistët janë një nga pjesët që i pëlqen më shumë në punën e saj.
“Që nga dita e parë dhe deri sot, puna kurrë nuk më ka hequr dëshirën apo të them që u lodha. Vdes të shkoj në punë, të jap lajmet e sportit. Të marr intervista”, tha ajo.
Gazetarja sportive foli edhe për mënyrën se si përpiqet të ndërtojë një marrëdhënie profesionale me futbollistët që interviston. Ajo tha se mundohet të jetë e afërt dhe korrekte me ta, në mënyrë që komunikimi të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke pasur parasysh se karriera e një gazetari sportiv është e gjatë.
“Me solaritetin tim mundohem t’i bëj njerëzit më të afrueshëm me mua, që kur t’i kërkoj një intervistë tjetër, të mos thonë ‘ja mori prapë kjo në telefon’. Mundohem të jem e njëjta, pa kaluar limitet e punës, nuk shkoj për të shitur mend, por për të bërë punën time. Për të pasur një kontakt edhe në vijim, sepse karriera është e gjatë”.
Gjatë bisedës, Trevisa Tufa tregoi edhe një rast kur një futbollist e ka ngacmuar pas një interviste. Ajo rrëfeu se raste të tilla kanë ndodhur përmes rrjeteve sociale, ndërsa theksoi se nuk ka pasur situata të tilla gjatë intervistave ballë për ballë.
“Ndodh, por ka një të mirë, sepse përballë nuk më ka ndodhur. Mund ta kem marrë një person në intervistë dhe mund të më ketë shkruar më pas në rrjetet sociale, por jo përballë. Ka pasur raste kur nuk ia kam kthyer ‘ngacmimin’ dhe nuk më ka dhënë më intervistë. Më kanë thënë ‘ok, do marr leje në klub’, i kam shkruar të nesërmen, ngacmimi vazhdoi, dhe kur i shkruajta sërish nuk më ka kthyer përgjigje. Por kjo nuk më ka bezdisur”, u shpreh ajo.
