Aktuale

Merr fund arratia e nipit të “Mirit të Xhikës”, Erjon Rama shkon me këmbët e veta në Polici, emri i tij mes

Merr fund arratia e nipit të “Mirit të Xhikës”, Erjon Rama shkon me këmbët e veta në Polici, emri i tij mes biznesmenëve që dyshohet se pastronin paratë e krimit
Ka marrë fund arratia për Erjon Ramën, nipin e Fatmir Ramës, i cili së bashku me vëllain e tij u shpallën në kërkim disa ditë më parë në kuadër të operacionit të ndërmarrë nga SPAK për goditjen e grupit të Luçiano dhe Artur Koçekut.

Burime për mediat bëjnë me dije se Rama është vetëdorëzuar këtë të enjte në Policinë e Shtetit, lidhur me hetimet që po zhvillohen sa i përket grupit kriminal të drejtuar nga vëllezërit Koçeku, të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim parash në Shqipëri dhe jashtë saj. Erjon dhe Adrian Rama, nipat e Fatmir Ramës (i njohur si “Miri i Xhikës”), janë mes personave të akuzuar nga SPAK për përfshirje në aktivitet kriminal, konkretisht në skema të dyshuara të pastrimit të produkteve të veprës penale dhe investimeve të parave të ardhura nga trafiku i drogës. Sipas dosjes hetimore, personat nën hetim dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim përmes disa shoqërive tregtare, duke kryer faturime fiktive dhe investime në pasuri të paluajtshme si dhe duke kanalizuar të ardhurat në prona, kompani dhe asete të ndryshme për të fshehur origjinën e tyre.

Në materialet e Prokurorisë të bëra me dije më herët përmendeshin gjithashtu veprime të dyshuara në zonën e Vlorës, ku sipas hetimeve janë përdorur kontrata me banorë lokalë dhe procedura për sigurimin e trojeve dhe lejeve të ndërtimit, si pjesë e skemës së dyshuar financiare. Më herët, në kuadër të të njëjtit operacion, SPAK vendosi masa sigurie “arrest me burg” për disa persona të tjerë të përfshirë në dosje, ndërsa u sekuestruan një numër i konsiderueshëm pasurish, përfshirë vila, apartamente, kompani dhe llogari bankare. Hetimet vijojnë dhe pritet që Prokuroria e Posaçme të hedhë më shumë dritë mbi rolin e secilit prej të dyshuarve në këtë rrjet të dyshuar kriminal.

Të Ngjashme