Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, duke vënë theksin te roli i saj në forcimin e kapaciteteve profesionale të institucioneve të sigurisë.
Në një postim në Facebook, Kurti ka theksuar veçanërisht gjeneratën e 63-të të Policisë së Kosovës, ku përfshihen edhe dy kadetë me një histori të veçantë: Sokol Enver Zymeri dhe Jetlum Afrim Bunjaku, djemtë e zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës. Sipas tij, ata sot janë pjesë e Akademisë dhe pas përfundimit të trajnimit do të shërbejnë si zyrtarë policorë “shembullorë në mbrojtje të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës”.
Kurti ka vlerësuar edhe arritjet e Akademia e Kosovës për Siguri Publike gjatë periudhës së fundit, përfshirë akreditimin 5-vjeçar (2026–2031) nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë në fushën e arsimit të lartë. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, sipas të dhënave të paraqitura, janë diplomuar 21 zjarrfikës, janë realizuar 24 trajnime me 359 pjesëmarrës, ndërsa aktualisht po zhvillohen trajnime për gjeneratën e 46-të të Shërbimit Korrektues me 100 kadetë, si dhe gjenerata e 63-të e Policisë së Kosovës me 412 kadetë.
Postim i plotë:
Në kuadër të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës janë edhe dy djemtë e zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, Sokol Enver Zymeri dhe Jetlum Afrim Bunjaku. Sokoli dhe Jetlumi sot janë kadetë në këtë Akademi ndërsa pas diplomimit do të jenë zyrtarë policorë shembullor në shërbim të qytetarëve tanë dhe në mbrojtje të Republikës sonë.
Përgjatë tremujorit të parë të këtij viti, AKSP ka arritur të akreditohet për periudhën 5-vjeçare (2026-2031) në fushën e arsimit të lartë nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë. Brenda kësaj periudhe kohore kanë diplomuar 21 zjarrfikës në trajnimin profesional, janë realizuar 24 trajnime me gjithsej 359 pjesëmarrës, ndërsa është duke u mbajtur trajnimi profesional për gjeneratën e 46-të të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës me 100 kadetë si dhe trajnimi për zyrtarë policorë për gjeneratën e 63-të me 412 kadetë.
Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) u themelua në vitin 1999 në Vushtrri. Në fillim u quajt Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovës, në vitin 2006 u bë Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim, ndërsa nga viti 2008 quhet Akademia e Kosovës për Siguri Publike. Që nga themelimi, AKSP ka trajnuar mbi 150 mijë zyrtarë, ka realizuar mbi 6 mijë trajnime, ndërsa kanë diplomuar mbi 300 zyrtarë në Fakultetin e Sigurisë Publike.
Akademia e Kosovës për Siguri Publike është institucioni i vetëm publik në Republikën e Kosovës i specializuar në arsimimin dhe trajnimin e personelit në fushën e sigurisë publike.
Programet trajnuese dhe arsimore të AKSP-së i nënshtrohen periodikisht proceseve të akreditimit dhe validimit nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, përmes Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim, si dhe sipas kritereve të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve dhe standardeve të aplikueshme nga SHBA.
Shërbimet trajnuese dhe akademike u ofrohen institucioneve të sigurisë publike, duke mos u kufizuar në:
– Policinë e Kosovës,
– Shërbimin Korrektues të Kosovës,
– Shërbimin Sprovues të Kosovës,
– Doganën e Kosovës,
– Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, dhe
– Inspektoratin Policor të Kosovës.
Akademia duhet të fuqizohet dhe të zhvillohet jo vetëm si institucion mbështetës për mekanizmat e sigurisë, por edhe në dimensionin e saj akademik dhe hulumtues, përmes analizave strategjike, studimeve profesionale dhe kontributit në hartimin e politikave të sigurisë.
Mbështetja jonë në të gjitha këto drejtime do të vazhdojë të jetë e plotë dhe e parezervë, me synim forcimin e mëtejmë të Akademisë si institucion i rëndësisë së veçantë për sigurinë dhe zhvillimin institucional të Republikës së Kosovës.
