Një ngjarje e rëndë ka tronditur familjen e rapsodit të njohur Hasan Çetaj dhe opinionin në Pejë.
Arianit Çetaj, 34 vjeç, është gjetur pa shenja jete paraditen e së enjtes në shtëpinë e familjes së tij, në rrugën “Vëllazëria Dalemani” në Pejë.
Sipas raportimeve, vetëm disa orë para ngjarjes tragjike, Arianiti kishte marrë pjesë së bashku me babain dhe familjarët e tij në një dasmë në Prizren.
Familjarët ishin kthyer në shtëpi rreth orës 04:00 të mëngjesit, ndërsa më pas secili ishte tërhequr për të pushuar.
Rreth orës 09:30, Arianiti është gjetur nga babai dhe vëllai i tij i përkulur mbi një divan në tarracën e shtëpisë.
Familjarët kanë kërkuar menjëherë ndihmën e Emergjencës dhe të Policisë, por mjeku kujdestar ka konstatuar se 34-vjeçari nuk kishte shenja jete.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, hetuesit, krimteknikët dhe Prokurori i Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa shkaku i saktë pritet të përcaktohet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore.
Arianit Çetaj ishte djali i rapsodit të njohur Hasan Çetaj.
Familjes Çetaj, të afërmve dhe miqve të të ndjerit u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.
