Lajme

“Nuk çuditem nga fjalët e tij, por nga ata që…” – Mehmeti ia përplas faktet Vuçiqit: Si nuk kishte katastrofë humanitare, kur…

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka shfrytëzuar fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për t’iu rikthyer luftës së Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s më 1999.

Në qendër të deklaratave të tij ishte pretendimi se “katastrofa humanitare nuk ndodhi” në Kosovë dhe se ndërhyrja e NATO-s ishte e pajustifikuar.  Vuçiq deklaroi gjithashtu në OKB se asnjë ushtar apo polic serb nuk kishte hyrë në territorin e ndonjë shteti tjetër.

“Asnjë ushtar i vetëm, asnjë polic nga Serbia nuk kishte shkelur në territorin e ndonjë vendi tjetër”, tha ai. Në fjalimin e tij, Vuçiq kritikoi edhe faktin se bombardimet e NATO-s në mars të vitit 1999 nuk ishin autorizuar paraprakisht me një rezolutë të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Opinionisti Gani Mehmeti ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se në Kosovë nuk kishte ndodhur katastrofë humanitare, duke e cilësuar këtë pretendim si mohim të realitetit të luftës dhe krimeve ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Mehmeti shprehet se nuk e habit deklarata e Vuçiqit, por mënyra se si ende mund të ketë njerëz që u besojnë pretendimeve të tij. Sipas tij, presidenti serb po mohon dëshmitë e atyre që e kanë përjetuar drejtpërdrejt luftën në Kosovë, si dhe dokumentacionin e organizatave ndërkombëtare.

“Për Vuçiqin nuk do të ishte katastrofë humanitare, sikur të vriteshin të gjithë shqiptarët e Republikës së Kosovës, prandaj ai nuk e pranon katastrofën humanitare në Kosovë. Nuk çuditem nga fjalët e tij, çuditem nga ata që i besojnë fjalës së tij, nëse dikush i beson ende”, ka deklaruar Mehmeti për “Bota sot”.

Image
Opinionisti Gani Mehmeti

Ai thekson se, gjatë viteve 1998 dhe 1999, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare kishin mundësi të shihnin nga afër pasojat e luftës në Kosovë dhe se dëshmitë për dëbimet, vrasjet dhe shkatërrimet ishin të shumta.

Sipas tij, veçanërisht pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, forcat serbe dhe formacionet paraushtarake intensifikuan sulmet ndaj popullsisë civile shqiptare.

“Me fillimin e bombardimeve të caqeve ushtarake e policore serbe nga NATO, ushtarë e paraushtarakë serbë, në shenjë hakmarrjeje, u vërsulën mbi popullatën e pafajshme shqiptare dhe po shkaktonin gjenocid, duke ndjekur shtëpi për shtëpi shqiptarët nga shtëpitë e tyre. Ata që nuk po i lëshonin shtëpitë e tyre, po i vrisnin. Shtëpi dhe objekte tjera banimi dhe ekonomike, po i digjnin pa hezitim”, ka shkruar ai.

Mehmeti përmend edhe vrasjet e civilëve gjatë dëbimit të popullsisë, duke thënë se shqiptarët që largoheshin nga shtëpitë e tyre ishin përballur me dhunë edhe gjatë lëvizjes drejt zonave malore apo kufijve të Kosovës.

“Dhe, jo vetëm kaq, por edhe në kolona, duke ikur për në male e kah mundnin, serbët shkaktuan masakra të shumta kudo që deshën. Për këtë flasin shumë, me qindra masakra, nisur me familjen e komandantit legjendar Adem Jashari në vitin 1998 e më pastaj gjatë gjithë kohës së bombardimeve të NATO-s, nga 24 marsi e deri më 20 qershor 1999”, shprehet Mehmeti.

Ai e lidh përmasën e katastrofës humanitare edhe me zhvendosjen masive të popullsisë shqiptare, duke theksuar se një pjesë e madhe e banorëve të Kosovës u detyruan të largoheshin jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër kërkoi strehim në zona malore.

“Si nuk kishte katastrofë humanitare, kur rreth gjysma e popullit shqiptar ishte ndjekur për në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, ndërsa gjysma tjetër e popullsisë shqiptare e Kosovës ishte detyruar të merrte malet e bjeshkët me pleq, plaka, fëmijë e të sëmurë?”, ka shkruar ai.

Sipas Mehmetit, kushtet në të cilat u gjendën të zhvendosurit brenda Kosovës ishin jashtëzakonisht të vështira, ndërsa mungesa e ushqimit, ilaçeve, mjekëve dhe strehimit rëndoi edhe më shumë gjendjen e popullsisë civile.

Ai përmend edhe numrin e madh të viktimave shqiptare gjatë luftës, duke theksuar se në mesin e të vrarëve kishte njerëz të moshave të ndryshme, përfshirë të moshuar dhe fëmijë.

“Ku nga shqiptarët mbetën rreth 13 mijë të vrarë prej serbëve, në mesin e të cilëve kishte edhe pleq 90-vjeçarë e deri në fëmijë të posalindur, të cilët assesi nuk kishin mundur të ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por vetëm pse ishin shqiptarë, serbët po shfrynin urrejtjen e tyre mbi ta”, ka deklaruar Mehmeti.

Në fund, opinionisti e ashpërson kritikën ndaj Vuçiqit, duke thënë se mohimi i katastrofës humanitare në Kosovë, sipas tij, lidhet me qëndrimin e presidentit serb ndaj shqiptarëve.

“Pra, e them me plot gojën se, për Vuçiqin nuk do të quhej katastrofë humanitare edhe sikur të mos mbetej asnjë shqiptar i gjallë në Kosovë. Kjo vjen si rrjedhojë e urrejtjes aq të madhe të tij ndaj shqiptarëve”, përfundon Mehmeti.

Të Ngjashme