Lajme

Oda e Avokatëve ngre alarmin për zvarritjet në trajtimin e ankesave për paraburgim

Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësim serioz lidhur me zvarritjet e vazhdueshme në trajtimin e ankesave kundër vendimeve për caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit.

Sipas reagimit të OAK-së, kodi i procedurës penale përcakton afate të qarta dhe imperative për trajtimin e këtyre rasteve, për shkak se bëhet fjalë për kufizimin më të rëndë të lirisë personale para një vendimi përfundimtar gjyqësor.

Megjithatë, OAK-ja thekson se në praktikë po vërehen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin dhe dorëzimin e vendimeve nga instancat më të larta gjyqësore.

“Në jo pak raste, vendimet e Gjykatës së Apelit pranohen nga palët pas kalimit të disa javëve, madje ka raste kur masa e paraburgimit vazhdohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa pala ende nuk e ka pranuar vendimin e Apelit lidhur me vendimin paraprak”, thuhet në reagim.

Sipas OAK-së, vonesa edhe më të theksuara raportohen në procedurat pranë Gjykatës Supreme.

Oda e Avokatëve e Kosovës vlerëson se respektimi rigoroz i afateve ligjore në rastet e paraburgimit nuk është vetëm obligim procedural, por edhe garanci themelore kushtetuese dhe konvencionale që lidhet drejtpërdrejt me lirinë personale, procesin e rregullt ligjor dhe efektivitetin e mjeteve juridike.

Në fund, OAK-ja u ka bërë thirrje institucioneve gjyqësore kompetente që trajtimi i ankesave në çështjet e paraburgimit të ketë prioritet absolut dhe afatet ligjore të zbatohen në mënyrë efektive, në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore dhe forcimit të besimit në sistemin e drejtësisë.

Të Ngjashme