Bledar Cafi, i cilësuar nga Policia si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, është arrestuar në Shkodër, ndërsa Endrit (Indrit) Dokle, emër i njohur i botës së krimit, është rishpallur në kërkim. Arrestimet dhe kontrollet u kryen në kuadër të operacionit policor të koduar “Muri i Lartë”, të zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Bledar Cafi është arrestuar në orët e para të mëngjesit në banesën e tij në Shkodër, ndërsa policia nuk ka mundur të gjejë në banesë Endrit, alias Indrit, Doklen, për të cilin vijon puna për lokalizimin dhe kapjen.
Cafi, 50 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, është cilësuar nga Policia e Shtetit si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ndaj tij, Gjykata e Posaçme ka caktuar më 25 shtator 2026 masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Ai akuzohet për “Trafikim të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, transmeton rtsh.
Në kuadër të operacionit janë ushtruar kontrolle edhe në banesat dhe ambientet që lidhen me Endrit Doklen, alias Indrit Dokle, 43 vjeç.
Dokle është person në kërkim që prej vitit 2024 dhe ndaj tij GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për akuzat që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike dhe aktivitetin e një grupi të strukturuar kriminal.
Policia e Shtetit:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Muri i Lartë”.
Operacioni nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me BKH-në, nën drejtimin e SPAK.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Vijon puna për kapjen e një shtetasi tjetër, i cili gjatë operacionit nuk u gjet në banesë.
Strukturat operacionale dhe hetimore të Policisë së Shtetit, konkretisht Forcat Speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, DVP Shkodër dhe BKH, nën drejtimin e SPAK, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Posaçme SPAK dhe të vendimit të Gjykatës, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Muri i Lartë”, me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit personal ndaj një shtetasi, si dhe kryerjen e kontrolleve për lokalizimin dhe kapjen e një shtetasi tjetër, i shpallur në kërkim.
Në kuadër të operacionit, në Shkodër u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit B. C., 50 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Kapja dhe arrestimi i tij u bë në orët e para të mëngjesit të sotëm, në banesën e tij në Shkodër. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 25.09.2026, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Po në zbatim të vendimit të GJKKO-së, u ushtrua kontroll në vendet që i përkasin shtetasit në kërkim E. D., alias I. D., 43 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, person në kërkim që prej vitit 2024, për të cilin GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë kontrolleve, ky shtetas nuk u gjet dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
