Pushteti i ri në Serbi, është përballë testit të tij të parë serioz.
Kjo në raport me Republikën e Kosovës dhe se si qeveria e re në Beograd do t’i qaset grupit paramilitar në krye me Millan Radoiçiqin, që sulmuan policinë kosovare më 24 shtator 2023 në Banjskë.
Kështu thotë deputeti në Parlamentin Evropian, Thijs Reuten, i cili këtë të shtunë foli për “Info Magazine”.
Ndërkohë këtë javë në Bruksel u prezantua Raporti i Progresit, që vlerëson ecjen e 10 shteteve që synojnë të anëtarësohen në BE.
Për Kosovën, sipas politikanit holandez raporti ishte mesatar e kriza politike e zgjatur duket të ketë pasur ndikim fort negativ. Thotë se reformat e brendshme në fushën e sundimit të ligjit duhet të kryhen patjetër.
Në fakt Kosova , nga të gjitha vendet synuese për të hyrë në Unionin Evropian, është e vetmja pa status të kandidatit.
Nga 27 vende anëtare që ka për momentin BE-ja –pesë prej tyre nuk e njohin Kosovën shtet të pavarur e sovran. Ato janë Greqia, Qipro, Spanja, Sllovakia, Rumania.
