Lajme

​Parlamenti Studentor i UP-së reagon ndaj rektorit Hajrullahu: “Presim vendime, jo arsyetime – kemi kërkuar takim të ri me Këshillin Drejtues”

Një ditë para protestë së paralajmëruar, Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka dalë me reagim të ashpër pas komunikatës së publikuar mbrëmë nga rektori Arben Hajrullahu, duke vlerësuar se reagimi i tij nuk ofron asnjë zgjidhje konkrete për kërkesat dhe shqetësimet e kamotshme të studentëve.

Sipas Parlamentit Studentor, komunikata e rektorit e orës 23:00 erdhi pas shkresës së dërguar Këshillit Drejtues dhe takimit të së premtes, ku përfaqësuesit e studentëve kishin dokumentuar dështimet e dy viteve të fundit në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Në reagim thuhet se rektori Hajrullahu jo vetëm që nuk u tërhoq nga deklaratat e tij dhe nuk kërkoi falje, por pranoi se nuk ka arritur t’i zbatojë rregulloret në të gjitha njësitë akademike.

Studentët listojnë disa nga problemet kyçe të cilat, sipas tyre, kanë mbetur pa përgjigje dhe pa afate se kur do të zgjidhen si çështja e rivlerësimeve, kufizimet për studimet e dyfishta, problemet me vijueshmërinë në njësi të caktuara akademike dhe kufizimi në tri mungesa në kuadër të vlerësimit të vazhdueshëm.

“Studentët nuk kanë nevojë për komunikata që pranojnë problemet. Kanë nevojë për vendime që i zgjidhin ato,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se studentët nuk mund të manipulohen me deklarata të orëve të vona dhe se kriza në universitet po thellohet për shkak të mungesës së vendimmarrjes dhe heshtjes së Këshillit Drejtues.

Për të dalë nga kjo situatë, Parlamenti Studentor ka bërë të ditur se ka kërkuar zyrtarisht një takim të ri me Këshillin Drejtues të UP-së, nga i cili presin përgjigje konkrete gjatë ditës së nesërme.

Reagimi mbyllet me mesazhin se studentët nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre.

“Presim vendime, jo arsyetime. Zgjidhje, jo premtime. Përgjegjësi, jo heshtje”.

Kujtojmë, Parlamenti Studentor i UP-së nesër do të mbajë protestë para Rektoratit duke filluar nga ora 11:30.

Image

Të Ngjashme