Sokol Hoxha një 51-vjeçar nga Fieri i dënuar për vrasjen e dy vëllezërve në Patos dhe të një shqiptareje në Bruksel, u ekstradua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Tiranë.
Ai u arrestua në muajin maj të këtij viti në Ohaio, pas gati 3 dekadash në arrati.
Sokol Hoxha mbërriti këtë mëngjes në Aeroportin e Rinasit,
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ekstraduan 51-vjeçarin drejt Shqipërisë me Charter Flight burrin nga Fieri, i cili për 30 vite ishte në arrati.
Në kurriz i rëndojnë dy dënime të rënda për 3 vrasje.
I pari, nga Gjykata e Fierit në vitin 2010, ku u dënua me 25 vite burg, për vrasjen në bashkëpunim të dy vëllezërve Banaj në Patos në mars të vitit të mbrapshtë 1997.
Pasi kreu vrasjen e dyfishtë në vendin e tij të lindjes, Hoxha u arratis duke u fshehur fillimisht në Greqi dhe më pas u zhvendos në Belgjikë ku kreu krimin e radhës.
Në vitin 2010, ai u dënua me burg të përjetshëm për vrasjen në një lokal në Bruksel të një gruaje shqiptare, Brunilda Dervishi, të cilën e kishte shfrytëzuar për prostitucion ndërsa e kishte mashtruar se do martohej me të, ngjarje e ndodhur në fund të gushtit 1997.
Pas vrasjes në Belgjikë, Sokol Hoxha u largua fillimisht drejt Mbretërisë së Bashkuar ku rreth viteve 2000 arriti të marrë një identitet fals kosovar, me emrin Hysen Gashi.
Më ketë pasaportë, ai hyri më pas në SHBA, ku qëndroi i fshehur për shumë vite derisa u arrestua më 5 maj të këtij viti në Ohaio, gati pas 3 dekadash në arrati.
Pas arrestimit të të shumëkërkuarit në SHBA, autoritetet shqiptare të drejtësisë nisën komunikimin me autoritetet e Belgjikës për ta transferuar edhe dënimin me burg të përjetshëm, në Shqipëri.
Kur përleu për herë të parë duart me gjak, Sokol Hoxha ishte vetëm 22 vjeç.
Njoftimi i Policisë:
Deportohet në Shqipëri, një shtetas i dënuar për 3 vrasje në Shqipëri dhe në Belgjikë.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Departamentit të Policisë Kriminale/Njësisë së Hetimeve të Përbashkëta, Interpol Tiranës, Interpol Uashingtonit, Interpol Mançesterit dhe Interpol Brukselit, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, u finalizua procedura për deportimin në Shqipëri, të shtetasit të arrestuar në Ohio, më datë 05.05.2026:
-Sokol Hoxha, 51 vjeç, lindur në Fier.
Ky shtetas, në vitin 2000, është dënuar nga Gjykata e Fierit, me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, pasi më datë 30.03.1997, në Patos, Fier, në bashkëpunim me shtetasin D. S., ka vrarë me armë zjarri, shtetasit H. B. dhe I. B. (vëllezër), për motive të dobëta.
Gjithashtu, në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Brukselit, Belgjikë, me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi më datë 29.08.1997, ka vrarë me armë zjarri, në Bruksel, një shtetase shqiptare, të cilën më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion.
Deportimi i shtetasit Sokol Hoxha, mëngjesin e sotëm, rezultat i bashkepunimit te vazhdueshem ndërkombëtar policor ndërmjet hetuesve nga Njësia Speciale Policore e Departamentit të Policisë Kriminale (e njohur si Njësia e Përbashkët e Shërbimeve Investiguese), e cila punon ngushtë me Njësitë e Hetimeve Ndërkombëtare Kriminale DSS/OCIU në Ambasadën Amerikane në Tiranë, si dhe me Marshallët Amerikanë dhe me ICE-ERO në ShBA.
Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar dhe e vendosur për të qëndruar përkrah partnerëve amerikanë për hetime të përbashkëta dhe në veçanti për rastet e shtetasve në kerkim që i fshihen sistemeve të drejtesise të të dyja vendeve.
