Aktuale

“Pensionistëve u kemi një borxh që nuk e shlyejmë dot”, Rama: Nuk i kthejmë dot mbrapsht vitet, por nga 1 janari do të…

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar disa prej masave të parashikuara në buxhetin e vitit 2027, gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë. Në fokus të deklaratave të tij ishte rritja e mbështetjes financiare për pensionistët, si dhe ndihma për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe prindërit që kujdesen për ta.

“Pensionistëve u kemi një borxh që nuk e shlyejmë dot në të gjallët tanë”. Borxhin moral ndaj një gjenerate që e mbajti mbi shpinë Shqipërinë me kockat e varfërisë së vet, duke punuar pafund e duke marrë asgjë mbrapsht nga puna. Nuk i kthejmë dot mbrapsht vitet që ikën, por ne, falë rritjes së ekonomisë, mund t’ua bëjmë pak më të lehta vitet që kanë përpara. Nga 1 janari, e thotë tani buxheti që është në Parlament, bonusi i tyre i fundmuajit do të rritet dhe rritja do të jetë dyfishi i rritjes së vitit të shkuar. Indeksimi i pensioneve nis në prill.

Dyfishimi i buxhetit për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe mbështetja për kujdestarët e tyre është një tjetër shenjë për ata që, larg syve të botës, brenda mureve të një shtëpie, qëndrojnë të mbyllura nëna që e kanë të pamundur të shkojnë në punë, sepse bëjnë një punë pa orar, pa pushim, duke i qëndruar mbi kokë një fëmije të mrekullueshëm, por jo si gjithë të tjerët. Me buxhetin 2027 u themi të gjitha nënave dhe prindërve që ne ju shohim, nuk jeni vetëm. Jo vetëm kaq, por ju nuk mund të mbeteni pa një pension, sepse nuk paguani dot sigurime shoqërore. Këto do t’i mbulojmë ne për ju.”, tha Rama./vizionplus.tv

Të Ngjashme