Emërimi i majorëve Gentrit Idrizi dhe Labinot Lala si oficerë ndërlidhës të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit po vlerësohet si një zhvillim me rëndësi të veçantë për avancimin profesional të FSK-së dhe forcimin e rolit ndërkombëtar të Kosovës.
Lidhur me këtë ka folur për “Bota sot”, Gjeneral Major Prof. Dr. Muhamet Racaj i cili ka deklaruiar se ky emërim paraqet një hap të rëndësishëm strategjik për institucionin ushtarak të vendit.
“Emërimi i majorëve Gentrit Idrizi dhe Labinot Lala si oficerë ndërlidhës të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit dhe strukturave përkatëse të bashkëpunimit ndërkombëtar paraqet një zhvillim të rëndësishëm profesional dhe strategjik për FSK-në dhe për Republikën e Kosovës.
Kjo është një praktikë standarde në pothuajse të gjitha ushtritë moderne të botës. Në kuadër të shtabeve ushtarake emërohen oficerë ndërlidhës, të cilët shërbejnë si urë lidhëse ndërmjet shtabit komandues dhe njësive në terren, duke siguruar koordinimin, shkëmbimin e informacionit dhe zbatimin e urdhrave operacionale në mënyrë efikase. Roli i tyre bëhet edhe më i rëndësishëm kur veprohet në zona me rrezik të lartë dhe mjedise të ndërlikuara të sigurisë, ku bashkërendimi ndërmjet forcave shumëkombëshe është faktor kyç për suksesin e misionit”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ai ka vlerësuar se për FSK-në ky emërim përbën dëshmi të besimit që partnerët ndërkombëtarë kanë ndaj kapaciteteve profesionale të personelit të saj.

Gjeneral Major Prof. Dr. Muhamet Racaj
“Për FSK-në, ky emërim është një dëshmi e besimit që partnerët ndërkombëtarë kanë në kapacitetet profesionale të personelit të saj. Ai njëkohësisht kontribuon në ngritjen e përvojës operacionale, njohjen e procedurave të NATO-s dhe të forcave partnere, si dhe në avancimin e standardeve profesionale të institucionit ushtarak të Kosovës”, ka theksuar ai.
Duke folur për rëndësinë që ky zhvillim ka për shtetin e Kosovës, Racaj ka nënvizuar se përfshirja e oficerëve të FSK-së në struktura shumëkombëshe është tregues i konsolidimit të rolit të Kosovës si kontribuuese në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
“Për Republikën e Kosovës, ky është një tregues i qartë i konsolidimit të rolit të saj si kontribuuese në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. Përfshirja e oficerëve të FSK-së në struktura shumëkombëshe rrit kredibilitetin e shtetit dhe forcon partneritetet strategjike me vendet aleate.
Vlerësoj se ky hap mund të shërbejë edhe si një platformë e rëndësishme për zgjerimin gradual të angazhimit të FSK-së në misione ndërkombëtare në të ardhmen. Sa më shumë që personeli i FSK-së dëshmon profesionalizëm dhe aftësi në mjedise ndërkombëtare, aq më shumë krijohen mundësi që Kosova të kontribuojë me kapacitete më të mëdha në operacione paqeruajtëse, humanitare dhe të sigurisë kolektive, në përputhje me standardet dhe praktikat e aleancave perëndimore.
Ky është një investim në zhvillimin profesional të kuadrove ushtarake, por edhe një hap tjetër drejt afirmimit ndërkombëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës si një institucion modern, i besueshëm dhe i gatshëm për të marrë përgjegjësi në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, ka përfunduar Racaj për “Bota sot”.
